Përkujtohen ushtarët britanikë që humbën jetën në Kosovë

Përkujtohen ushtarët britanikë që humbën jetën në Kosovë

Sot përkujtohen 14 anëtarët e Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR). Me këtë rast presidenti i Kosovës, Hashim Tahçi përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka thënë se ata që sakrifikuan janë heronj edhe të Kosovës.

“Nderim i përjetshëm për rreth 200 gra e burra që humbën jetën si pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë. Në kuadër të ceremonisë së Ditës së Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, sot nderojmë sakrificën e 14 ushtarëve britanikë, të cilët ranë në krye të detyrës, duke i shërbyer paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Ata që me sakrificën e tyre ndërtuan paqen dhe humbën jetën në vendin tonë, nuk janë vetëm heronj të KFOR-it dhe shteteve anëtare të NATO-s, por edhe të Republikës së Kosovës”, ka shkruar i pari i Kosovës.

14 anëtarët e Forcave të Armatosura Britanike, që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-s në Kosovë i përkutoi edhe kryeministri i Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj.

“Liria e popullit tonë, është ndërtuar në themelet e sakrificës dhe flijimit. Në këtë rrugëtim, miqtë dhe aleatët tanë ishin përkrah nesh. Kosova përherë do të nderoj sakrificën deri në flijim, për liri e demokraci!”, ka thënë ai përmes një shkrimi në “Facebook”.

Bombardimet e NATO-s zgjatën nga 24 marsi 1999 deri me 10 qershor 1999. Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorori forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995./21Media