Ushtria, i vetmi sukses i 2018-ës

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, gjatë vitit kanë vazhduar dështimet në fusha të ndryshme

Kontestimi i legjitimitetit të qeverisë nga partitë opozitare, përplasjet në Kuvendin e Kosovës mes partive politike, mos-liberalizimi i vizave, dështimi i Kosovës të bëhet pjesë e INTERPOL-it, dhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi, këto janë temat që e karakterizojnë vitin 2018 në Kosovë. Ndërsa, e vetmja çështje që po konsiderohet sukses, dhe që arriti të bëjë bashkë pozitë e opozitë, është votimi i ligjeve që i hapën rrugë transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë konsiderojnë se edhe gjatë vitit 2018, kanë vazhduar dështimet në fusha të ndryshme.

Analisti politik, Behlul Beqaj tha për Kp tha se viti 2018 u mbyll me dështime dhe zhgënjime të mëdha.

“Qeveria është shndërruar në kampion botëror të punësimit të zëvendësministrave, ndërkaq çështja e punësimit e mjerimit ekonomik, dhe dështimet e njëpasnjëshme në fushën e drejtësisë, në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, lënë të kuptojmë që ne asesi nuk mund të jemi të kënaqur as me vendimet e vogla të cilat i kanë marrë, për dallim nga disa tentime të cilat kanë pas vetëm interesa klanore dhe të disa pushtetarëve”, tha ai.

Beqaj përmendi edhe pagesën e qeverisë për Bechtel Enka-n, prej 53 milionë euro, e cila sipas tij, ka kaluar sikur të ishin në pyetje disa euro, e jo një shumë e jashtëzakonshme e mjeteve, e cila ka shkuar pa dhënë një arsyetim të qëndrueshëm, qoftë nga kjo qeveri apo qeveritë e mëhershme.

Ndërsa, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se gjatë vitit 2018 në aspektin e arenës ndërkombëtare ka pasur mungesa të shumta.

“Një çështje tjetër ka qenë që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi, ku kemi pas së fundi veprimin e ndërmarrë nga qeveria për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe, dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuarë në INTERPOL, dhe faktin që Kosova në mënyrë të vazhdueshme është përballur me një diplomaci të egër nga ana e Serbisë, e cila në mënyrë të vazhdueshme ka kontestuar shtetësinë e Kosovës, duke lobuar për mos-njohjen e shtetit të Kosovës dhe tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Nëse shohim në aspektin e arenës ndërkombëtare, kemi pas mungesa të shumta, nuk është që kemi arrit të shtojmë numrin e njohjeve apo anëtarësimin, dhe në të njëjtën kohë edhe mosliberalizimi i vizave dhe mospërcaktimi i qartë i rrugës së Kosovës drejtë Bashkimit Evropian apo rrugëtimin euro-atlantik, është një gjë që e ka karakterizuar 2018-ën”, tha ajo.

Krasniqi shtoi se në çështjen e dialogut me Serbinë, konsensusi është i munguar, sepse duhet të përfshihen të gjithë.

Ndërkaq, Rasim Alija nga D4D tha se vështirë të gjendet ndonjë sukses i shënuar gjatë vitit 2018.

“Është goxha vështirë me gjetë, me bë përpjekje në trendët e kësaj qeverie me gjetë një pjesë që ka sukses, nuk e di sa mund të quhet sukses procedimi i ligjeve për ushtrinë dhe taksën 100%. Me këtë pjesën tjetër, nëse duam ta quajmë sukses edhe procedimi i ligjeve për ushtri, edhe taksa janë goxha vendime populiste, kjo i bie që ligji shtyhet përpara vetëm në momentet kur ne na konvenon, çka nëse këtë kriter të shtyrjes përpara të ligjeve vetëm në momentin kur na konvenon, aplikohet në të ardhmen edhe për vet ne”, thotë ai.

Një tjetër temë që e karakterizon 2018-ën është edhe ajo e korrigjimit të kufijve, e proklamuar nga presidenti i vendit, por që nuk gjeti përkrahje nga askush nga spektri politik kosovarë, madje as nga shumë aleat ndërkombëtar.

Back to top button