“Ushtria, Thaçi ia nisi për të dështuar”

Selimi: Nëse ne do ishim në pushtet nuk do kishte Listë Serbe

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka shpalosur qëndrimet dhe shqetësimet e kësaj partie pas tërheqjes së projektligjit për FSK-në nga ana e Presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se ky i fundit është sot përgjegjësi kryesorë pse Kosova është pa ushtri, kurse, tash kjo cështje mund të shkojë në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Deputeti Rexhep Selimi, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje bëri përgjegjës Presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçin për mosformimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai tha se LVV ndjehet keq që koha nuk e demantoi dhe doli që me të vërtetë e tërë kjo ishte një farsë.

“Kosova dhe FSK-ja është në një pozicion shumë të pafavorshëm për pasojë të një aventure të atij burri që e mban të uzurpuar zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe për këtë të njëjtin person e bëjmë përgjegjës që Kosova sot edhe nuk ka ushtri, Kosova sot nuk ka si duket edhe horizont, edhe të ardhme që ta bëjë Kosovën me ushtri”, tha ai.

Ndërsa sa i përket kohës kur duhet të bëhet kjo ushtri dhe si duhet të bëhet, Selimi tha me bindje se për sa kohë që kemi këtë qeveri në pushtet nuk do të ketë ushtri.

I pyetur se çka do të bënte Lëvizja Vetëvendosje në një rast të tillë nëse do ishte në pushtet, Selimi theksoi se arsyeja për këtë gjendje fshihet pas koalicionit LDK-PDK-Lista Serbe, prandaj kur Lëvizja Vetëvendosje të vijë në pushtet nuk do të lejojë që të ketë ‘këso lloj listash serbe që nuk mbrojnë interesat e qytetarëve serbë të Kosovës”.

 “Pra si pasojë e këtyre marrëveshjeve të nëntokës sot ne kemi një subjekt parapolitik në Parlamentin e Kosovës, i cili subjekt nuk mbron interesat e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës por reprezanton interesat dhe politikat e qeverisë së Beogradit dhe rrjedhshëm dihet qëndrimi i Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se tërheqja e ligjit ka qenë pjesë e skenarit. Selimi tha se gjatë gjithë kohës kjo lëvizje kishte bërë përpjekjet më të mëdha që ta bëjë Qeverinë që ta zbatojë fillimisht ligjin për FSK-në dhe po ashtu ta avancojë deri në arritjen e kapaciteteve të saj ushtarake./21Media

Back to top button