Poezi nga Faik Konica

Poezi nga Faik Konica

E kush më mirë se Faik Konica ka ditur të flasë për shqiptarët. Ai njihet për vlerësimin e madh që i ka bërë kombësisë së vet, shqiptarëve.

Konica njihet si studiues dhe kontribues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar. Ai kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë.

Ai kishte sjellur një frymë të re në mendësinë e shqiptarëve. Por, ai i la shqiptarët që e donin letërsinë në mungesë të fjalëve e veprave të tij më 14 dhjetor të vitit 1942, ku vdiq në Uashington të SHBA-ës./21Media

VAJTIM PËR ROBËRI TË SHQIPTARËVET

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!