Vaksinat janë në rregull, fëmijët e pavaksinuar nuk pranohen në shkollë

Ministri Filipçe tha se prindërit, të cilët nuk pranojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre kanë bindje të gabuar

Afati i vaksinave në Maqedoni nuk është aspak i kontestueshëm. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, problemi i vetëm në të gjithë këtë situatë janë ngjitëset e vendosura me afat të gabuar nga ana e kompanisë, e cila e distribuon vaksinën. Ai u shpreh se edhe Agjencia e ilaçeve MALMET, e cila merret me mbikëqyrjen e punëve të këtilla, por edhe Makedonija Lek vazhdojnë me shqyrtimin e vaksinave në të gjitha pikat e vaksinimit. Por, siguri për atë se vaksinat janë cilësore dhe se nuk janë me afat të skaduar dha edhe kompania angleze, Glasko.

“Ishte përfaqësuesi i kompanisë GLASKO, që është drejtori gjeneral për këtë rajon nga zyra në Beograd. Ne ua dhamë për shqyrtim vaksinat të cilat kishin ngjitëse të gabuara, ata vërtetuan se vaksinat janë prodhim i tyre, me numrat e tyre serik dhe se janë praktikisht prodhimet e tyre. Me këtë edhe vërtetuan se bëhet fjalë për prodhime të mira, me afat të mirë, të cilat munden të përdoren, pasi bëhet fjalë për prodhim të njëjtë që përdoret në të gjitha vendet evropiane, tha Venko Filipçe.

Ministri Filipçe tha se prindërit, të cilët nuk pranojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre kanë bindje të gabuar, të formuar në bazë të informatave të pasakta. Ai tha se për të njëjtit parashihen dënime, por se edhe po përgatiten ligje të reja për zgjidhje institucionale të këtij problemi. Ai shtoi se vetëm me program të mirë vaksinal mund të largohen këto sëmundje, andaj dhe do të insistojë në miratimin e këtyre ndryshimeve.

“Përgjegjësi e jona është që të mbrojmë shëndetin publik, tani më kemi propozuar ndryshime ligjore, me të cilat, fëmijët të cilët nuk janë rregullisht të vaksinuar, nuk do të mund të regjistrohen as në çerdhe por as në shkollë. Pasi që vetëm me imunitet më të mirë kolektiv, mund t’i largojmë këto sëmundje, tha ministri i shëndetësisë .

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë deri tani janë kontrolluar rreth 50 pacientë, ndërsa për 20 prej tyre është konstatuar se janë të sëmurë nga fruthi. Mbrëmë janë pranuar 6 pacientë në Klinikën infektive, prej të cilëve 5 fëmijë, në moshë prej nga 9 muaj deri më 2 vjet e gjysmë dhe një vajzë 24 vjeçare, të gjithë të pa vaksinuar, raporton TV21./21Media

Back to top button