Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës

Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një komunikate ka njoftuar qytetarët e Kosovës se në funksion të parandalimit të gripit sezonal, MSh i ka porosituar 100 mijë vaksina kundër gripit (prej tyre 500 doza pediatrike), të cilat do të sigurohen përmes shërbimeve të prokurimit të UNICEF-it.

Sipas njoftimit vaksinat e porositura pritet të arrijnë në Kosovë në ditët e para të dhjetorit.

“Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ndërkaq, i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe do t’i mbajë ata të informuar në vazhdimësi, përfshirë këtu edhe informimin për arritjen dhe shpërndarjen e vaksinave.

Vaksinat e blera nga MSh-ja do t’i shpërndahen popullatës përmes IKSHKP-së dhe Njësive të vaksinimit në QKMF-të e Kosovës./21Media