KQZ kërkon mjetet e nevojshme nga qeveria

KQZ kërkon mjetet e nevojshme nga qeveria

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, pas takimit që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi tha se kanë diskutuar për afatet kushtetuese në qoftëse mbahen zgjedhje.

Tutje ajo tha se për ndonjë datë të caktuar nuk u diskutua.

“Nuk mund të diskutohet  për datë, pa u shterur të gjitha mundësitë, për zgjedhjet e jashtëzakonshme ne gjithmonë kemi opsione”, tha ajo.

E pyetur për buxhetin Daka tha se për atë çështje duhet të diskutohet nëse vendoset për zgjedhje.

“Ato janë çështje që diskutohen pasi të shpallen zgjedhjet, nëse shpallen, KQZ kërkon mjetet e nevojshme nga qeveria dhe vendoset për buxhet sepse ky nuk ka qenë vit zgjedhor dhe nuk e kemi pasur buxhetin e nevojshëm”, tha Daka.

Ndryshe, Thaçi në takim ka thënë se tani shtrohet nevoja për hapa konkretë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur në vend sa më shpejtë një qeveri funksionale e efektive.

“Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri. Takimet me partitë tjera politike do të vazhdojnë në ditët e ardhshme, varësisht nga agjenda dhe zhvillimet brenda vet partive politike përkatëse”, ka deklaruar ai.

Qeveria ka rënë me dorëheqjen e kryministrit Ramush Haradinaj, i cili më 19 korrik ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi ishte ftuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Kreu i AAK-së kishte deklaruar se do të paraqitet në Hagë si qytetar i thjeshtë, e jo si kryeministër sepse kjo sipas tij, do të ishte e rëndë për vendin. Haradinaj më 24 korrik për rreth 1 orë u intervistua nga prokurorët e Gjykatës Speciale dhe më pas u kthy në Kosovë i bindur se ndaj tij nuk do të ngritet aktakuzë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga kjo javë ka filluar konsultimet me partitë politike për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. /21Media