Varhelji: Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat që në pranverë

Komisari ri me premtim të ri

“Kam lajme të mira për Ballkanin Perëndimor – procesi i integrimeve në BE duhet të vazhdojë”, porositi eurokomisari i ri për zgjerim, Oliver Varhelji. Ai tha se kjo është vizita e tij e parë zyrtare  pas emërimit të tij. Ai tha se qasja e re duhet të jetë më dinamike dhe paralajmëroi përkushtim më të madh në fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë edhe atë që në pranverë. Megjithatë porositi se nevojitet që të zbatohen reformat, marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, ndërsa prioritet është sjellja e Ligjit për Prokurorinë Publike, raporton TV21.

“Duhet të punojmë mbi bazën e vlerësuar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme të fillojnë negociatat aderuese. Ai qëndrim nuk ka ndryshuar. Duam që të vazhdojmë me hapjen e negociatave aderuese dhe t’i fillojmë që në pranverë, por kjo të vijë së bashku me planin ekonomik për rajonin”, deklaroi Oliver Varhelji, eurokomisar.

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, tha se me të drejtë presim realizimin e qëllimit tonë dhe se Maqedonia ka motiv më të madh për zbatimin e reformave.

“Eurokomisari Varhelji paralajmëroi se deri në fund të këtij muaji do të dalin me dokument për zgjerim. Maqedonia e Veriut është e interesuar që sa më shpejtë të fillojë negociatat. Në interes tonë është të shmangen përplasjet e reja dhe të arrihet konsensus sa më shpejtë. Negociatat të jenë të ndara, por procese të kompletuara. Shteti është në periudhë të rëndësishme kur pritet funksionim i gjithë institucioneve pa pengesa”, theksoi Oliver Spasovski, kryeministër teknik.

Eurokomisari Varhelji paraprakisht kishte takim edhe me Presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, ku ai theksoi se integrimi evropian dhe euroatlantik mbeten qëllime strategjike të vendit.

“Fokusi i shtetit është në perspektivat për hapjen e negociatave aderuese për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shpresoj se deri në mars të këtij viti të definohet metodologjia e re për udhëheqjen e procesit të negociatave aderuese mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut.

Varhelji realizoi takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, si dhe me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski./21Media

Back to top button