Tërmeti i 26 nëntorit ua mori jetën dy vëllezërve

Tërmeti i 26 nëntorit ua mori jetën dy vëllezërve

Sot iu dha lamtumira e fundit vëllezërve, Shemsedin dhe Isa Abazi, të cilët humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës të Shqipërisë.

Të dy vëllezërit u varrosur në varrezat e fshatit Livoç i Epërm të Gjilanit ku të pranishëm ishin shumë qytetarë.

Shemsedin e Isa Abazi kishin shkuar në Durrës për të punuar.

Shemsedin Abazi ishte 32 vjeç dhe la pas vetes bashkëshorten dhe katër fëmijë, ndërsa Isa Abazi ishte 29 vjeç dhe la bashkëshorten me 2 fëmijë.

Ekipi i RTV21, i cili gjendet në Shqipëri ka njoftuar se shifra e të vdekurve nga tërmeti i së martes në Shqipëri deri më tani ka arritur në 42. Ndërsa, të lënduar janë qindra persona. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën në rrënoja të shtëpive për gjetjen e personave të tjerë, që gjenden nën rrënoja.

Më 26 nëntor Shqipërinë e goditi një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 6.4 shkallë. Ky tërmet dridhi edhe Kosovën, me lëkundje që u dëgjuan edhe në vendet tjera të rajonit./21Media