Ende po vazhdon publikimi i sporteve publicitare

Ende po vazhdon publikimi i sporteve publicitare

Kanë kaluar një javë që nga heshtja dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, por në stacionin e autobusëve në Prishtinë ende po vazhdon publikimi i sporteve publicitare ku shihen kandidatë për asamble nga subjekte të ndryshme politike.

Lidhur me këtë çështje Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në një prononcim përmes telefonit për kp ka deklarua se ende nuk ka ndonjë afat të caktuar se kur duhet të hiqen billbordet apo hapësirat reklamuese, pasi që përfundon procesi zgjedhor.

Sipas Deskut nëse spotet publicitare kanë vazhduar të shfaqen edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore ajo përbënë shkelje ligjore.

“Pas përfundimit të asaj se çka është e ndaluar apo është e lejuar diçka ndonjë afat apo kufizim, atëherë nuk ka vlerë ai reklamim e kjo nuk është zgjedhur edhe me ligj apo mu caktu një afat kur duhet të hiqen apo kur nuk duhet të hiqen si posterat si billbordat apo reklamimet, mirëpo kjo e ka atë fuqinë e vetë çoftë pozitive, çoftë negative kur e ka afatin për heshtjen, në çoftëse shkelen rregullat, shkelen ligjit, atëherë është shkelja apo thyerje e heshtjes zgjedhore”, tha ai.

Ndërsa, kp përmes telefonit ka kontaktuar edhe me drejtorin e stacionit të autobusëve të Prishtinës, Ylber Çitaku, i cili u shpreh se ajo çka reklamojnë ekranet e vendosur në peronat e stacionit të autobusëve nuk është nën kompetencën e tyre por me mirëmbajtjen e tyre merret një kompani private.

“Jo jo nuk është nën kompetencën e stacionit të autobusëve , është një kompani private e cila i mirëmban ato”, tha ai.

Ai tutje shtoi se nuk ka informacione se këto spote publicitare që kanë pasur përmbajte politike a kanë qenë të publikuar edhe gjatë heshtjes zgjedhore apo jo.

Ndryshe, sot në ekrane reklamuese të vendosura në peronin dy dhe gjashtë kanë vazhduar të qarkullojnë ende spoti publicitare të kandidatit për asamble të komunës së Prishtinës nga partia Alternativa, Ardian Çoça, dhe spoti publicitar i bartësit të listës nga AAK për Prishtinën, Gent Begolli.