BE dhe Këshilli i Evropës e konfirmojnë

BE dhe Këshilli i Evropës e konfirmojnë

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës vazhdojnë të mbështesin reformat në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë, dhe shtetit të së drejtës. Vazhdimësia e programit të përbashkët ‘Mekanizmi Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë’ u prezantua gjatë konferencës rajonale që u organizua sot në Shkup.

Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Nikola Dimitrov, mirëpriti vazhdimësinë e këtij programi që tregoi rezultate konkrete gjatë fazës së parë të zbatimit.

Maqedonia e Veriut është një shembull i qartë në rajon. Ne kemi demonstruar vullnet të fuqishëm politik për të ndërmarrë reformat e nevojshme në të katër fushat që mbulohen nga ky program dhe sjellë këtu mënyrën evropiane të të jetuarit. Zbatimi i Programit të Instrumentit Horizontal është një mbështetje e madhe në këtë drejtim. Shteti ligjor; lufta kundër korrupsionit; anti-diskriminimi dhe liria e shprehjes dhe liria e medias janë fusha kyçe që duhet të reformohen”, tha Ministri Dimitrov.

Për Verena Taylor, drejtoreshë e Zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve të Këshillit të Evropës, mesazhi kryesor i konferencës që mblodhi më shumë se 200 përfaqësues nga Shqipëria, Bosnjë dhe Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia, është që Ballkani Perëndimor dhe Turqia janë të rëndësishme për Evropën.

Ju jeni të rëndësishëm për Evropën, ndaj ne po kombinojmë instrumentet tona më të mira, për t’ju mbështetur në proceset reformuese”, u shpreh Taylor gjatë fjalës së hapjes.

Për më tepër, ajo theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile, me të cilët Këshilli i Evropës bashkëpunon me sukses.

Faza e dytë e programit, me një vlerë rreth 41 milionë euro, do të vazhdojë deri në vitin 2022 dhe do të zgjerojë fushat e kësaj iniciative duke përfshirë për herë të parë tema si liria e shprehjes dhe liria e medias.

Në tërësi, faza e re e programit do të fokusohet në 4 fusha përfshirëse: sigurimi i drejtësisë; lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit ekonomik; promovimi i anti-diskriminimit dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve vulnerabil, si dhe liria e shprehjes e liria e medias.

Vazhdimësia e programit ndërtohet në suksesin e fazës së parë të iniciativës, që u zbatua përgjatë 2016 – 2019. Kjo iniciativë ka mundësuar një numër rezultatesh konkrete si ambiente më tolerante në shkolla, ligje dhe masa më efektive anti-korrupsion, rritje e efikasitetit e sistemeve të drejtësisë si dhe ka sjellë mundësi më të barabarta për grupet vulnerabël./21Media