Vdes gazetari Skender Idrizi

Ka ndërruar sot jetë gazetari Skender Idrizi

Pas një sëmundje të shkurtër është ndarë nga jeta kryetari i klubit të gazetarëve profesionist “Haki Braha” në Ferizaj, Skënder Idrizi, i cili u cilësua një njeri me virtyte e cilësi të larta njerëzore e profesionale.

Me rastin e vdekjes së tij është organizuar mbledhje komemorative në të cilën merrnin pjesë drejtues të qeverisë lokale të Ferizajt, shokë dhe familjarë të ndjerit.

Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar drejtori i shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj, Milazim Dërguti, ku i ndjeri punoi me vite të tëra si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në këtë komemoracion në emër të gazetarëve, të pranishmit i ka falënderuar gazetari Afrim Demiri, i cili theksoi se jeta dhe veprimtaria e Skënderit, do të jetë gjithnjë një rrugëtim i mirë për të gjitha gjenerata e reja.

E nga ana tjetër kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se ndarja e hershme dhe e papritur nga jeta e Skënderit Idrizit ka tronditur thellë të gjithë qytetarët ferizajas.

“Nuk e kemi lehtë të pajtohemi me humbjen e tij, sepse deri dje ishim bashkë me të, ndanim së bashku mendime dhe opinione për aktualitetin, për punën, për jetën. Skënder Idrizi ka qenë njeri me të cilin ta kishte enda të bisedosh për të gjitha çështjet, sepse atë përherë e karakterizonte maturia, urtësia dhe mendimi i pjekur. Tashmë jemi të vetëdijshëm se kemi humbur një mik, një njeri me virtyte e cilësi të larta njerëzore e profesionale, një arsimtar veteran dhe një gazetarë objektiv”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai ka shtuar se prej sot duhet të mësohemi së në mesin tonë nuk ta kemi më mësimdhënësin, gazetarin, mikun dhe mbi të gjitha, njeriun shembullor Skënder Idrizin.

“Duhet të mësohemi të jetojmë vetëm me kujtimin për të. E kujtimet për Skënderin janë nga më të mirat dhe nga më të çmuarat, sepse në mendjen dhe në shpirtin e tij, duket se ka banuar vetëm e mira, vetëm fisnikja njerëzorja”, ka potencuar kryetari Svarqa.

Në emër të familjes të pranishmit i falënderoi vëllau i te ndjerit Besim Idrizi.

Kurse Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nëpërmjet një komunikate, thotë se e ka pranuar me pikëllim dhe dhembje të madhe lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut Skender Idrizi nga Ferizaj.

Varrim i të ndjerit bëhet në orën 16:30 në Prelez të Jerlive.

Back to top button