Bislimi u nda nga jeta sot

Bislimi u nda nga jeta sot

Ka vdekur aktori, gazetari dhe moderatori i njohur ferizajas, Hafir Bislimi. Lajmi është bërë i ditur nga Teatri i Ferizaj “Adriana”.

“ Teatri është në zi! Artistët janë të pikëlluar! Hafir Bislimi do të mbahet mend gjatë si një nga emblemat e gardës së vjetër të aktorëve ferizajas që shkëlqeu në dërrasat e Teatrit, në vitet më të vështira të artit tonë skenik.
E pikërisht në 8 vjetëshin kur kësaj bote i dha lamtumirën përgjithmonë ikona e teatrit ferizajas, Ismajl Rama, humbëm edhe njërin nga të rrallët e skenës teatrore ferizajase, Hafir Bislimin.”, thuhet në njoftimin e këtij teatri.

Po ashtu bëhet e ditur se nesër (19. 08. 2019), nesër në ora 13:30 do të mbahet mbledhje komemorative në Teatrin “Adriana”.

Ngushëllime për aktorin ka shprehur edhe kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu .

“Me pikëllim të të thellë mora lajmin për vdekjen e parakohshme të aktorit, ish- gazetarit e moderatorit ferizajas, Hafir Bislimi. U shua zëri karakteristik që vërshoi për vite me radhë nga ekrani i televizionit lokal, aktori i veçantë gjeneratës së vjetër të Teatrit “Adriana”, miku e familjari që la shijen e dashurisë e respektit te gjithsecili prej nesh. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe familjarëve të të ndjerit”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Aliu./21Media