Eddie Money vuante nga kanceri

Eddie Money vuante nga kanceri

Pas një sëmundje të rëndë në moshën 70-vjeçare ka vdekur këngëtari i njohur amerikan, Eddie Money.

Ai ishte autor i 11 albumeve muzikore dhe i kishte shitur rreth 30 milionë kopje gjatë karrierës së gjatë prej katër dekadash.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë ditur familja e këngëtarit.

Me zemër të rënduar i themi lamtumirë bashkëshortit dhe babait tonë të dashur. Është shumë vështirë ta paramendojmë botën tonë pa të. Sidoqoftë, ai do të jetojë përgjithmonë përmes muzikës së tij”, thuhet në deklaratën e familjes së tij.

Eddie Money, i cili fillimisht quhej Edward Joseph Mahoney, u lind në Brooklyn të Nju Jorkut në vitin 1949. Ai e realizoi albumin e parë në vitin 1977. Ky album ishte shitur në më shumë se dy milionë kopje.

Një ndër sukseset më të mëdha të këngëtarit është kënga “Take me home tonight”, e cila në fakt ishte një duet me Ronnie Spector.

Eddie Money, më 24 gusht kishte treguar se vuante nga kanceri. Këngëtari i ka lënë pas vetes gruan dhe pesë fëmijët. /21Media