Murati për 47 vjet ka shërbyer në xhaminë e madhe në Mitrovicë

Murati për 47 vjet ka shërbyer në xhaminë e madhe në Mitrovicë

Sot ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare kryeimami i Mitrovicës, Mulla Asllan Murati.

Murati për 47 vjet ka shërbyer në xhaminë e madhe në Mitrovicë, ndërsa gjatë kohës së luftës ka qenë kryetari i Bashkësisë Islame.

Kryeministri i Kosovës në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e hoxhë Asllan Muratit nga Mitrovica.

Haradinaj tha se hoxha i ndjerë ishte burrë i respektuar dhe patriot, ndërsa ishte kujdesur për eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletinit nga viti 1998 deri në rivarrimin e tyre.

Pikëllues lajmi për kalimin në amshim të hoxhë Asllan Muratit nga Mitrovica, një burrë i respektuar dhe patriot. Asllani ishte kujdesur për eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini, që nga viti 1998 e deri në rivarrimin e tyre. Ngushëllime familjes Murati dhe miqve të të ndjerit. I qoftë i lehtë dheu!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ndërsa, kreu i PDK-së, Kadri Veseli u shpreh se trashëgimia e Mulla Asllan Muratit do të jetë frymëzim për shumë gjenerata.

Me dhimbje mora lajmin për vdekjen e Mulla Asllanit, një prej hoxhallarëve më me ndikim në Kosovë. Kontributi atdhetar dhe puna e Mulla Asllanit me besimtarë janë respektuar gjithmonë në rajonin e Mitrovicës. Trashëgimia e tij do të jetë frymëzim për shumë gjenerata. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Veseli.

Ngushëllime ka shprehur edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

“Të nderuar familjarë dhe bashkbesimtarë të Mulla Asllan Muratit. Ju shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta e Kryeimamit të Mitrovicës, këtij veprimtari dhe patrioti tanë të shquar! Gjithëherë kisha kënaqësine ta takoja Mulla Asllanin në Mitrovicë dhe Prishtinë. Besimtarin e pamposhtur dhe besnikun e frymës së Ibrahim Rugovës. Njeriun, që së bashku me prof Latif Berishën këtheu dhe ruajti eshtrat e Isa Boletinit deri në rivarrimin në Kullën e Boletinit. Është privilegjë të përjetosh një periudhë afërsie me Mulla Asllanin, sikurse është nderë të kujtosh njeriun me virtyte të larta kombëtare e fetarr”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”.

Mulla Asllani ka qenë dëshmitar i 42 varreve që i kishte zbuluar menjëherë pas luftës gjatë një vizite në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës./21Media