Kadolli ka vdekur në moshën 73- vjeçare

Kadolli ka vdekur në moshën 73- vjeçare

Në moshën 73-vjeçare ka vdekur poeti dhe publicisti, Abdyl Kadolli. Ai ka lindur më 10 nëntor 1946 në Bukosh të Therandës.

Kadolli ka mbaruar studimet themelore dhe ato pasuniversitare për letërsi në Prishtinë. I ndjeri ka shkruar poezi, humor dhe shkrime publicistike që nga koha kur kishte punuar në gazetën “Rilindja”.

Ai kishte botuar vëllimin poetik “Këmisha e zjarrit” (“Rilindja”, Prishtinë, 1998) dhe veprën publicistike “Ora kombëtare” (“Ars”, Prishtinë, 2001). Nga viti 1993-1998 kishte qenë sekretar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë të Kosovës. Për shkak të aktivitetit në këtë forum ai ishte kidnapuar dhe torturuar rëndë nga policia e fshehtë serbe.

Viteve të fundit ka qenë i angazhuar në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK) si anëtar kryesie dhe kryeredaktor i revistës letrare “Metafora”. Në kuadër të aktiviteteve në LSHK ka qenë edhe koordinator i festivalit poetik ndërkombëtar “Drini poetik”.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të mërkurën në ora 15:00, në varrezat e Prishtinës në lagjen Arbëria.