Varrimi do të bëhet të dielën

Varrimi do të bëhet të dielën

Ka vdekur në moshën 73 vjeçare profesori Ferit Dibrani.

Mbledhja komemorative do të mbahet nesër me fillim nga ora 11:00 në Kuvendin komunal të Vushtrrisë. Ndërsa varrimi do të bëhet të dielën, më date 20.10.2019 në ora 12:30 në fshatin Dumnicë. Funerali do të niset nga xhamia Karamanli në Vushtrri.

Kujtojmë se Dibrani ishte profesor i vyer, udhëheqës arsimor i dalluar dhe faktmbledhës i përkushtuar, në rrugëtimin e arsimit shqip.

Përgjatë mëse katër dekadave punë, ai është kthyer në një nga simbolet e luftës vetëmohuese për arsimin shqip, betejën për dokumentimin e të cilit e vazhdoi deri në fund të jetës.

Pothuaj e gjithë trajektorja e arsimit shqip në komunën e Vushtrrisë, me fokus të veçantë në shekullin e fundit, mund të gjendet e përmbledhur në dhjetë librat që ka botuar.

Me gjithë punën e madhe në ligjërim e më pas drejtim të arsimit në Vushtrri, si dhe më pastaj në dokumentim të qindvjetëshit arsimor, punën e vazhdoi edhe në pension, duke udhëhequr Shoqatën e Veteranëve të Arsimit, deri në frymën e fundit./21Media