“Pas ndërtimit të fushës me bari sintetik, në stadium u krijuan kushtet për lojëra cilësore"

“Pas ndërtimit të fushës me bari sintetik, në stadium u krijuan kushtet për lojëra cilësore”

Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, dhe drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj vizituan sot stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku janë duke u realizuar punimet në ndërtimin e tribunave dhe infrastrukturës përcjellëse.

Kryetari Veliu u shpreh optimist se punët në kompletimin e infrastrukturës përcjellëse në stadium, tribunat dhe zhveshtoret, do të përfundojnë deri në fillimin e kampionatit të ri futbollistik.

“Pas ndërtimit të fushës me bari sintetik, në stadium u krijuan kushtet për lojëra cilësore, kurse me finalizimin e ndërtimit të tribunave shikuesve u ofrohet komoditet, që në sezonin e ardhshëm futbollistik të përcjellin ndeshjet e FC ‘Llapi’ në këtë stadium modern”, tha kryetari Veliu.

Ndërtimi i tribunave dhe infrastrukturës përcjellëse në Stadiumin “Zahir Pajaziti” është investim i përbashkët i MKRS-së, komunës së Podujevës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.