Veliu: VV-ja po dëshiron pushtet absolut dhe nënshtrim të LDK-së

Veliu thotë se VV po kërkon që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantik

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të Vetëvendosjes nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votës.

Veliu ka thënë se përpjekja e VV-së që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj, është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush.

“E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin. Madje, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike. Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi. Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh“, ka shkruar në Facebook Veliu.

Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar ofertë të re LDK-së për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës./21Media

Back to top button