"Velloja e Kujtimit si Dramë” nga Jeta Kalaveshi

“Velloja e Kujtimit si Dramë” nga Jeta Kalaveshi

Të hënën, më 6 maj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës personale të piktores, Jeta Kalaveshi e titulluar “Velloja e Kujtimit si Dramë”.

Mesazhi artistik që kryesisht dominon në veprat e Jeta Kalaveshit e që do të ekspozohen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, është preokupimi i autores me rrezikun në rritje ndaj uljes së nivelit të leximit të librit te të rinjtë në Kosovë, ndër tjera, si pasojë edhe e rritjes së përdorimit tekniko teknologjik, respektivisht elektronikës.

Digjitalizimi ose arkivimi i vlerave kulturore na bëjnë më aktual me kohën edhe pse paksa hezitues.

Rezultatet në këto vepra të paraqitura na tregojnë që sipas autores shumë pasuri shpirtërore duke filluar prej bibliotekave familjare dhe publike, si duket janë bërë problem për familjet e reja “bashkëkohore”, të cilat marrin rrugën e riciklimit.

Jeta Kalaveshi ka studiuar për marketing në Kolegjin AAB, pastaj në Fakultetin e Arteve-drejtimi pikturë në Universitetin e Prishtinës. Deri më tani është pjesëmarrëse në dhjetë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë Kosovës si në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Trieste-Itali, Abidjan-Bregu i Fildishtë, etj. Velloja e Kujtimit… është ekspozita e saj e dytë personale.