Gratë po punojnë për ta ndryshuar këtë mendësi

Gratë po punojnë për ta ndryshuar këtë mendësi

Hajra Bibi, një grua nga Pakistani u përkul pranë makinës së saj të qepjes me dorë, për të thur ngadalë peceta higjienike për femra në fshatet malore në veriperëndim të Pakistanit, në një nga vendet më rurale në vendin konservativ ku periodat janë ende tabu.

“Po i përgjigjem krizës”, tha 35-vjeçarja, e ulur pranë tavolinës së saj të punës në fshatin e Boonit, afër kufirit afgan.

“Më herët, gratë e Boonit nuk kishin ide se çka ishin pecetat higjienike”, përshkroi ajo.

Më pak se 1/5 e grave përdorin peceta higjienike në Pakistan, vlerësojnë bamirësitë lokale.

Tradicionalisht gratë përdorën lecka dhe rroba për ta thithur gjakun e menstruacioneve, por stigma dhe mungesa e edukimit reproduktiv nënkupton se standardet e higjienës janë të varfëra dhe shumica nga to kanë marrë infeksione.

Ashtu si në zonat tjera rurale në Pakistan, femrat me menstruacione shihen si të papastra dhe kufizohen në veprimet e tyre, shkruan Daily Mail, transmeton rtv21.tv

Bibi ishte e trajnuar për të krijuar peceta higjienike, krijuar nga pambuku, plastika dhe leckat, nga një organizatë joqeveritare për kujdesin e femrave në vendet rurale – e cila punon me Unicefin – që synon të ndryshojë qëndrimet për shëndetin e femrave. Ajo deshi të punonte për ta ndihmuar familjen e saj, sepse bashkëshorti i saj është i paaftë dhe kanë më pak të ardhura. Secila pecetë do 20 minuta kohë për tu krijuar dhe shitet për 13 centë.

Fillimisht, njerëzit e komunitetit e kritikonin.

“Në fillim, njerëzit më pyesnin se pse po e bëjë këtë punë, disa më ofendonin. Por, tani vajzat e fshatit mund të flasin për ciklin menstrual”, tha ajo me krenari, duke shtuar se ajo luftoi për të drejtat elementare të grave.

Infeksionet dhe edukimi

Në Pakistan, Unicef ka parlajmëruar se në disa raste, informacionet për ciklin menstrual janë mbajtur qëllimisht nga gratë si një “mjet për të mbrojtur dëlirësinë e tyre”.

“Kjo negativisht po ndikon në shëndetin fizik dhe emocional”, thuhet në një raport të vitit 2018.

Historikisht gratë e Boonit kanë përdorur lecka, por sipas Bushra Asnarit nga organizata joqeveritare, për shkak të tabuve, ato turpëroheshin t’i thanin leckat jashtë, duke mos qenë në dijeni se leckat e lagura i tërheqin bakteriet, përcjellë rtv21.tv

Madje, çka është më e keqja, anëtaret e familjes ndanin leckat e njejta me të cilat pastroheshin, duke rritur rreziqet e bartjes së infeksioneve në traktin urinar dhe riprodhues, shpjegoi Wassaf Sayed Kakakhail, një mjeke e regjionit.

“Tri vajza të familjes së njejtë e përdorin të njejtën leckë”, tha ajo dhe shtoi se atyre u është thënë të mos pastrohen gjatë ciklit menstrual.

Nuk ka as edukim seksual në shkolla dhe kjo temë rrallë diskutohet – madje edhe mes grave – në shtëpitë e Pakistanit verior, një pjesë e vendit pjesërisht konservative.

Sipas një studimi të Unicefit të vitit 2017, gjysma e femrave nga Pakistani nuk kishin njohuri për menstruacionet para se të fillonte cikli i tyre menstrual.

“Dhjetë gra menduan se kanë kancer ose sëmundje tjera serioze që ndikoi që ato të kishin gjakderdhje”, tha Kakakhail.

Porm Mohammad Haidar Ulmuk, drejtori i shëndetit publik për distriktin Chitral, ku është fshati i Boonit, insistoi se problemi është nën kontroll.

“Mund të ketë boshllëqe, por po mundohemi t’i mbulojmë”, tha ai dhe shtoi se vendi kishte qindra punëtorë të shëndetësisë që po mundoheshin t’i ndihmonin femrat e reja.

“Nënë, motër, grua”

Situata ndryshon varësisht nga qytetet, posaçërisht te më të pasurit. Por, në vendet patriarkale myslimane – të ranguara në vendin e 148 nga 149 shtete nga Forumi Ekonomik Botëror për barazi gjinore – dhe ku stereotipet seksiste vazhdojnë, qasja në produkte themelore të higjenës femërore mbetet e vështirë.

Në Karachi, një metropol i 20 milionë njerëzve që duket si një nga qytetet më liberale në Pakistan, pecetat higjienike janë të qasshme, por janë të shtrenjta.

Disa gra kërkojnë nga burrat e tyre t’i blejnë ato.

 

“Disa i blejnë ato natën, përderisa ka edhe të atilla që i blejnë në vende tjera”, tha Sajjad Ali, 32-vjeçar, pronar i një shitoreje.

Në disa dyqane, pecetat higjienike mbështjellen me letra të errëta, në vend se të shiten me çanta transparente sikurse produktet tjera.

“Cikli menstrual po konsiderohet si tabu”, tha Seema Shiekh, një aktiviste e të drejtave të grave.

Por ajo pyet: “A nuk ka çdo burrë motër, grua apo nënë?”

Pas 20 vjetësh betejë për të futur lëndën e edukimit seksual në planprogramin e shkollave në Pakistan, mësimet e para do të jepen në shkolla publike në provincën Sindh, kryeqyteti i së cilit është Karachi. Qëllimi i tyre është ta fusin këtë lëndë në shkolla, sepse cikli menstrual është një nga arsyet pse femrat e lënë shkollën.

Sipas një hulumtimi të vitit 2017 nga Unicefi, 28 përqind e femrave nuk shkuan në shkollë ose punë për shkak të dhimbjeve të barkut ose frikësohen se do t’i ndotin rrobat e tyre.

Bibi, e cila po punon me 80 gra për të krijuar peceta higjienike – beson se gjërat do të ndryshojnë në Booni./21Media