Vendim i ri, udhëtoni në gjithë Gjermaninë me 9 euro në muaj

Për tre muajt e ardhshëm, gjermanët do të udhëtojnë në vend për vetëm 9 euro në muaj në një përpjekje për të përballuar koston e rritjes së çmimeve.
I gjithë transporti lokal dhe rajonal në trena, autobusë dhe metro përfshihet në nismën e qeverisë, megjithëse trenat ndërurban nuk përfshihen.
Biletat e lira synojnë gjithashtu t’i bëjnë njerëzit të lënë makinat e tyre, transmeton rtv21.tv.
Megjithatë, taksa e karburantit është ulur gjithashtu me rreth 30 cent për litër për benzinën, duke ulur çmimet nën 2 euro.
Taksa është ulur në minimumin e BE-së, përsëri për tre muajt e ardhshëm, kështu që çmimet e naftës gjithashtu po ulen me rreth 14 cent për litër.
Ministri i Transportit, Volker Wissing i ka përshkruar biletat me vlerë 9 euro në muaj si një mundësi të shkëlqyer. “Është një sukses, ne kemi shitur tashmë shtatë milionë bileta”.
Megjithatë, kompania hekurudhore Deutsche Bahn tashmë po lufton me mbipopullimin, vonesat dhe anulimet dhe perspektiva e miliona pasagjerëve shtesë ka nxitur kritika për planin.
Më pak se 70% e trenave në distanca të gjata ishin në kohë në prill, por Ëissing thotë se rrjeti hekurudhor funksionon vetëm me 80% kapacitet. Asnjë problem i madh hekurudhor nuk u raportua në orët pasi skema filloi të mërkurën në mëngjes.
Si në pjesën më të madhe të botës, gjermanët janë goditur nga rritja e çmimeve të energjisë, me inflacion deri në 7.9% muajin e kaluar.
Kancelari Olaf Scholz u tha anëtarëve të parlamentit gjerman të mërkurën se shkaku kryesor i rritjes së çmimeve ishte pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Disa masa të tjera janë duke u marrë për të lehtësuar rritjen e kostos së jetesës:
Ata që janë në punë do të marrin një zbritje prej 300 € për kostot e energjisë në vjeshtë.
Do të ketë një bonus prej 100 € për fëmijë në korrik.
Njerëzit me përfitime të tjera sociale do të marrin gjithashtu 100 €./21Media

Back to top button