Shoqata e gastronomëve dhuron ushqim për të prekurit nga tërmeti

Shoqata e gastronomëve dhuron ushqim për të prekurit nga tërmeti

Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës ka bërë sot transportin e kuzhinës mobile e cila gjendet momentalisht në gjimnazin “Leonik Tomeo” në Durrës, shkruan rtv21.tv

Aty po bëhet përgatitja e shujtave ushqimore për personat në nevojë.

Shoqata e Gastronomeve të Prishtinës dhe vullnetarët e saj kanë ofruar mbi 15 mijë shujta përmes kuzhinës mobile të vendosur në Durrës.

Shpërndarja e ushqimit po bëhet në mënyrë të organizuar, edhe ne vendet e tjera ku ka nevojë.

“Përshëndetje Shqipëri, sot bëmë transportin e kuzhinës mobile e cila gjendet momentalisht në gjimnazin “Leonik Tomeo” ku po përgatiten shujta ushqimore për personat në nevojë. Të gjithë personat që kanë nevojë mund të drejtohen në pikën e lartpërmendur ku përpos ushqimit gjinden edhe ndihma për foshnje dhe fëmije si qumësht pluhur, ushime, pampersa etj. Ne si shoqatë do vazhdojmë me ketë aksion deri sa do normalizohet gjendja dhe në të njëjtën kohë ju jemi falënderues bizneseve, korporatave dhe individëve që na u bashkëngjitën në nismën tonë. Përpos ndihmave ushqimore në këtë pikë mund të merrni edhe rroba dhe medikamente mjekësore”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Gastronomëve.

Shqipëria në mëngjesin e 26 nëntorit u godit nga një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, i ndjekur nga një sërë lëkundjesh të tjera të forta.

Shifra e të vdekurve nga tërmeti i së martës në Shqipëri ka arritur në 46, ndërsa të lënduar janë qindra persona./21Media