Veseli: BE t’i trajtojë njëjtë Kosovën dhe Serbinë

Taksa nuk hiqet derisa të bëhet trajtimi i njëjtë, ka thënë Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një konferencë të mbajtur për media ka thënë që Kosova nuk do të heq taksën ndaj Serbisë derisa BE ta trajtojë barabartë. Ai bëri të ditur se reciprociteti do të jetë baza e vendimeve për ecjen përpara.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë. Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar përmes Beogradit. Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe është e detyruar të jetojë me këtë fakt në shekujt që do të vijnë. Nëse s’e kupton, ne do ta bëjmë që ta ndjejë shtetin e Kosovës çdo ditë e më shumë”, tha Veseli ndër të tjera në konferencën me gazetarë.

Veseli është shprehur që Kosova ka pritur vlerësim pozitiv nga BE ose së paku korrektësi, por kjo nuk ka ndodhur. Sipas Veselit, Serbia gjithmonë ka vazhduar me agresivitet të shtuar të pengojë integrimin e Kosovës në institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë. ” Rasti më i fundit ishte Interpoli. Kjo, për rrjedhojë, solli vendosjen e taksës 100 % për produktet serbe. Kjo masë ishte reagim për të treguar se bllokimi sjell bllokim të dyanshëm. Kemi pritur reflektim balancues të BE-së për këtë situatë. Që ul tensionet dhe mohon politikat bllokuese për dy palët njësoj. Nuk kemi pritur që BE të reagojë vetëm ndaj nesh. Kjo mungesë balance e BE-së, te qytetarët e Kosovës, më të drejtë, ka krijuar përshtypjen e njëanshmërisë së BE-së.” ka deklaruar i pari i Kuvendit.

Kadri Veseli ka thënë që nuk janë racionale argumentet se me krijimin e shtetit të Kosovës, Serbia ka humbur shumë, këto argumente sipas Veselit nuk i shërbejnë as paqes, as pajtimit dhe as arritjes së marrëveshjes mes dy vendeve. ” Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë. Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar përmes Beogradit.”, ka deklaruar Veseli.

Më tutje Veseli është shprehur që Kosova pret nga BE që ta trajtojë seriozisht dhe në mënyrë të balancuar çështjen e bllokadave të dyanshme. Kosova nuk do të veprojë njëanshëm në heqjen e taksës. “Taksa nuk është problemi i vetëm dhe as më i madhi. Trajtimi i barabartë dhe reciprociteti janë rrugëzgjidhja.”, përfundoi Veseli./21Media

Back to top button