Shënohet 20 vjetori i PDK-së

Shënohet 20 vjetori i PDK-së

Në 20-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli tha se si opozitë do të jenë e vërtetë dhe në shërbim të Kosovës.

Veseli garantoi se nuk do të ketë cenim të territorit, e as asociacion me kompetenca ekzekutive. Sipas tij, gjatë 20 viteve PDK u soll denjësisht dhe transformoi vetën e po ashtu edhe Kosovën.

“Kur askush nuk priti, pasi iu nënshtruam proceseve demokratike, me dinjitet pranuam humbjet politike të brendshme, pas fitoreve në beteja luftarake me Serbinë. Por, PDK nuk shkatërroi asgjë. Ne gjetëm forcën e konsolidimit të brendshëm, morëm përgjegjësitë e mëdha për vendin në procesin e negocimit për të ardhmen e vendit tonë. Qytetari e vlerësoi këtë, mirë dhe drejt. Pas 8 vjetësh, Partisë Demokratike qytetarët ia besuan drejtimin e vendit”, tha  Veseli.

Në shënimin e 20-vjetorit të themelimit ët PDK-së, Veseli tha se nuk u shpëtuan as gabimeve. Por u zotua se si opozitë do të jenë të zëshëm dhe se nuk do të lejojnë destabilizimin dhe cenimin e territorit të Kosovës.

“Ne bëmë një fushate konkrete, në sfidat që ka vërtet Kosova. Ndërsa, oponentët tanë u morën veç me ne. Ata arritën të bashkohen kundër nesh dhe ta ndërtojnë kauzën kundër nesh. Ne, tani jemi opozitë. Do të jemi opozitë e vërtetë kundër një kaste që veten e sheh mbi interesin e Kosovës dhe qytetareve tanë. Do të jemi opozitë në shërbim të Kosovës dhe vetëm të Kosovës. Do të jemi veprues dhe të zëshëm për çdo gjë që nuk avancon të drejtën, interesin dhe shpresën për qytetarët tanë dhe për Kosovën. Nuk do të lejojmë me asnjë çmim të dëmtohet stabiliteti i Kosovës. Ne nuk do të lejojmë cenimin e mirëqenies dhe të drejtat e secilës kategori të shoqërisë sonë”, shtoi ai.

Krahas kësaj, Veseli tha se për Kosovën, s’ka veri dhe jug, s’ka asociacion me kompetenca ekzekutive dhe nuk ka cenim të territorit. Por, ai tha se si opozitë, do të mbrojnë shtetin dhe nuk do të heqin dorë nga kauzat e tyre.

“Ne nuk abuzojmë. Ne nuk nënshtrohemi. Ne nuk zmbrapsemi. Ne dimë të jemi vetëm të përgjegjshëm dhe të fortë për Kosovën. Nuk do të ndalemi sidomos sot, kur ky 20-vjetor e gjen Partinë Demokratike në një rol të ri, si lidere opozitare, por gjithmonë në shërbim të kombit dhe shtetit“, u shpreh ai.

Kreu i PDK-së tha se reformat e partisë së tij do të vazhdojnë dhe se 20-vjetori shënon fillimin e një epoke të re, me qasje, ofertë dhe nevoja të dekadës së re

Sipas rezultateve preliminare në zgjedhjet e 6 tetorit PDK e cila ishte në pushtet për 12 vjet doli e treta duke mbetur kështu në opozitë.