“Për të ardhmen e vendit do të vendoset në Kosovë nga institucionet e Republikës së Kosovës"

“Për të ardhmen e vendit do të vendoset në Kosovë nga institucionet e Republikës së Kosovës”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka deklaruar se është e paimagjinueshme arritja e ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa involvimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Veseli teksa ka folur në intervistën 45/45, ka thënë se takimi i Berlinit që është mbajtur dhe ai i Parisit që pritet të mbahet janë shumë pozitive dhe tregojnë për një impenjim të shtuar të shteteve të BE-së për Kosovën.

“Për të ardhmen e vendit do të vendoset në Kosovë nga institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe qytetarët. Takime shumë të mira, shumë pozitive, qoftë takimi me kryeministren Merkel, qoftë takimi i samitit të Berlinit apo tani takimi i samitit të Parisit. Ajo çka është kryesore kemi një impenjim të shtuar të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Bashkimit Evropian për Kosovën. Ndërsa, për marrëveshjen Kosovë-Serbi është e paimagjinueshme arritja e ndonjë marrëveshje pa involvimin shumë serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Kreu i Kuvendit ka folur edhe për atë se çka pret nga samiti i Parisit që do të mbahet me 1 korrik.

“Do të jetë pozitiv, jam shumë i sigurt për faktin se Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca, po involvohen shumë seriozisht në procesin e vendimmarrjes për Ballkanin Perëndimor, por jo diçka të jashtëzakonshme, procesi është në vazhdim”, deklaroi ai.

Ndërkaq, i pyetur se a duhet të hiqet taksa e vendosur nga Kosova për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Veseli tha se kjo taksë assesi nuk duhet të përdoret kundër Kosovës.

Ai nuk ka dhënë një përgjigje definitive se a duhet të hiqet kjo taksë, por që u shpreh se për të rëndësi ka që Kosova të del më e fortë nga çdo vendimmarrje që merret për taksën.

“Le të mendojmë pak a shumë për pozicionin e shtetit, shteti i Kosovës ka të drejtë vendimmarrje legjitime kur cenohet dhe kur i preket interesi qoftë edhe ai ekonomik, kjo ka qenë arsyeja e vendimmarrjes së kësaj tarife, por nuk duhet assesi të përdoret kundër Kosovës tarifa e cila iu ka vendosur mallrave nga Serbia dhe aq më tepër raportet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimmarrja të jetë dinjitoze, pa emocione, pa populizëm, vetëm në interes të qytetarëve të Kosovës dhe ekonomisë sonë, këtu i kisha gërshetua edhe interesat pastaj me partnerët, por assesi dorëzim para Beogradit kurrë…Pak ka kjo rëndësi, këto lojërat, spekulimet që mbahen brenda, ju e dini qëndrimin tim. Rëndësi ka qe Kosova del më e fortë nga çdo vendimmarrje e cila merret për taksën dhe të ruhet interesi i Kosovës dhe me partnerët tanë, në mënyrë të veçantë me ShBA-të dhe Gjermaninë e Francën”, tha ai.

Veseli ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, që sipas tij është duke u abuzuar me dialogun me shtetin serb. Ai tha se Kosova duhet të tregojë gatishmërinë për dialog.

“Ne duhet të tregojmë gatishmërinë tonë për dialog, për një marrëveshje e cila është shumë e qartë, marrëveshje historike Kosova shtet i pavarur dhe sovran dhe asnjë fjalë tjetër më tepër në këtë konkludim, por që të lozet në mungesë të alternativave nga opozita, kushdo si opozitë keni parasysh nuk po flasim për këtë të sotmen, dje këta që kanë qenë në opozitë janë duke vazhduar të shajnë edhe sot, ata që kanë qenë dje pozitë po vazhdojnë sot të shajnë pikërisht në këtë lozjen e kësaj karte. Nuk është pozitive, me Serbinë ne duhet t’i përmbyllim njëherë e përgjithmonë problemet, rrezikun i cili mund të jetë i ricikluar për gjeneratat e ardhshme dhe Kosova do të jetë shtet. Po flas për ne si Parti Demokratike e Kosovës se kemi fort dashuri me u takua dhe me fol me Serbinë veç për dashuri, është pragmatizëm interes i qytetarëve, kjo është ajo e cila do të ndodh dhe nuk do të fshihemi as si struc, po as nuk do të lozim në lojëra për përfitime elektorale në këtë dimension, është dimension strategjik dhe interes kombëtar i shtetit të Kosovës. Por, marrëveshje ka vetëm një marrëveshje, dialog cdo herë marrëveshje ka shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është i pakthyeshëm, sovraniteti dhe integriteti territorial dhe institucional është i pacenuar, të drejtat e qytetarëve serbë do të jenë në mënyrën më promovuese nga çdo vend në botë”, tha ai.

I pyetur se a duhet Kosova që të vendos kushte për marrëveshjen me Serbinë, siç është çështja e të pagjeturve, Veseli tha se Serbia duhet të përgjigjet për krimet dhe gjenocidin që e ka kryer në Kosovë.

“Ne duhet të jemi të vendosur, insistues në të drejtën tonë. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet, e patë ju qëndrimin tim për çështjen e dialogut, gjithsesi jam pro dialogut për hir të fëmijëve tanë, për hir të Kosovës tonë, por Serbia duhet të përgjigjet për krimet, gjenocidin të cilin e ka kryer. Pikërisht në këtë situatë e kam iniciuar tribunalin ndërkombëtarë për gjenocidin serb në Kosovë, i cili është i pashmangshëm, i cili do të ndodh për vet faktin se Serbia ka kryer krime dhe në një botë ose duhet të dorëzohet para një çmendurie dhe para një krimi si është ajo që ka ndodhur dy dekada më herët në Kosovë nga Serbia ose duhet të ndodh e vërteta. Por, assesi të manipulohet dhe të luhet në lojëra emocionale për t’i nxitur qytetarët që ta ndalim një interes i cili është shumë strategjik, shumë sublim dhe i fëmijëve i këtyre viktimave që kanë pësuar. Do të thotë e ardhmja e Kosovës e sigurt nà « Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha ai. /M.Duraku/