Veseli-Hahnit: Vendimi për heqjen e vizave nuk duhet të shtyhet

Veseli e ka njoftuar komisionarin Hahn se Kuvendi i Kosovës do të miratojë ligjet për ushtri më 14 dhjetor

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot komisionarin evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.

Me komisionarin, Veseli ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, dialogun me Serbinë si dhe reformat që Kosova po bën në shumë fusha.

Me këtë rast kryetari Veseli ka theksuar se është e padrejtë për qytetarët e Kosovës që edhe pas plotësimit të kritereve të kërkuara, të mbesin të vetmit të izoluar në Ballkan.

Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës presin që BE-ja të jetë unike sa i përket heqjes së vizave, pasi tashmë çdo kriter është plotësuar.

Sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari Veseli ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale, që do të zgjidhë një herë e përgjithmonë të gjitha çështjet e hapura e në të njëjtën kohë i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, OKB, NATO dhe organizata të tjera.

Në lidhje me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, Veseli e ka njoftuar komisionarin Hahn se Kuvendi i Kosovës do të miratojë ligjet për këtë më 14 dhjetor. Ai ka theksuar se ky vendim do të jetë një hap i rëndësishëm për ruajtjen e paqes në Ballkan, duke forcuar partneritetin me NATO-n.

Back to top button