"Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heqi dorë nga provokimet..."

“Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heqi dorë nga provokimet…”

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pas incidentit në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë ku një i ri serb ka mbetur i lënduar.

Vuçiq në reagimin e tij tha se sa e rrezikshme është hapja e urës së Ibrit, duke theksuar se ‘ekziston një fascionim i shqiptarëve me veriun e Kosovës’.

Duke iu kundërpërgjigjur Vuçiqit, Veseli tha se deklarata e tij ka për synim cenimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal.

“Loja që Aleksandër Vuçiç po luan, për interesa të tij të ngushta dhe për konsum të brendshëm politik, është në dëm të të bashkëqytetarëve tanë serb të Kosovës. Deklarata e tij e sotshme ka për synim cënimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal. Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heqi dorë nga provokimet dhe të lërë bashkëqytetarët tanë serb rehat të lirë.”, shkroi Veseli ndër tjerash.

Po ashtu, Veseli dënoi ashpër këtë incident.

“Nga ana tjetër, unë dënoj ashpër krimin ordiner të kryer sot dhe bëj thirrje ndaj organeve të zbatimit të ligjit, që sa më shpejtë të zbardhin ngjarjen dhe të vendosin përpara drejtësisë përgjegjësit.

Shqiptarët dhe serbët nuk kanë probleme në Shtërpcë, Graçanicë, Novobërdë apo shumë vende të tjera ku jeton shumica dërrmuese e komunitetit serb në Kosovë. Problemet ekzistojnë vetëm aty ku Serbia ka interes që të shkaktojë konflikt.”, shkroi Veseli.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 18:00. Vendi ku ka ndodhur incidenti është i monitoruar nga kamerat e sigurisë. Sipas dëshmitarëve, personat kanë ikur në drejtim të jugut./21Media