Sipas Veselit, veprimi i deputetes s'ishte i mençur

Sipas Veselit, veprimi i deputetes s’ishte i mençur

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli ka reaguar pas deklaratave të deputetes Fatmire Mulhaxha – Kollçaku. Kjo e fundit kishte cituar fjalët e nënkryetarit të partisë së Millosheviqit, Predrag Markoviç, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se “Kurti është kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i luftës në Kosovë dhe se nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”.

Veseli ka deklaruar se deputetja në cilësinë e mendimit të saj politik, ka lirinë të propagandojë çfarë të dojë, sado që ajo çfarë ka bërë nuk ishte e mençur.

“Nuk bëhet fjalë thjesht për një qëndrim, por për një mentalitet që mendon se përfitimi politik, duke i dëmtuar shqiptarët, jep premisa suksesi në betejën imagjinare politike edhe pas zgjedhjeve. Për këtë lloj mentaliteti, Serbia agresive dhe politika e saj perfide, e përmbledhur në imazhin e kreut të saj institucional, Aleksandar Vucic, është më prioritare sesa sfida që na pret – e ardhmja e Kosovës. Nuk ka thirrje taktike për unifikim qëndrimesh pozitë dhe opozitë para Serbisë, vetëm për konsum elektoral të Albin Kurtit dhe damkim me shantazhe. Kjo nuk shitet.

Para disa ditësh, Albini Kurti bëri thirrje publike të më takoj. Për çështje shtetërore, unë edhe mund ta takoj. Por, nëse vërtet mendon se jam i shantazhuar nga Gjykata Speciale, atëherë Albin Kurti nuk ka nevojë të paktën për mua si një nga themeluesit e UÇK-së”, shkroi ndër tjerash Veseli./21Media