Veseli i reagon Kurtit: Kosova nuk rrezikohet nga NATO

“Qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe jo largimi i tyre nga cilido cep i Kosovës”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ish-kryeministri Hashim Thaçi në vitin 2013 kishte bërë një marrëveshje me NATO-n, ku thuhej se KFOR-i bartë të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Për këtë marrëveshje Kurti deklaroi se nuk ishte në dijeni opinioni, e madje as ai si deputet i asaj kohe, shkruan rtv21.tv.

Deklaratave të Kurtit u është përgjigjur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka deklaruar se është shqetësuese që një kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n si në kundërshtim me interesat e Kosovës.

“Gjatë luftës sonë çlirimtare, kam qenë vetë dëshmitar i veprimeve të kësaj Aleance, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ne, në interes të Kosovës, çlirimit të vendit tonë dhe kthimit të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre.”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai ka deklaruar se sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë./21Media

Back to top button