Shënohet 20-vjetori i masakrës në Burgun e Dubravës

Shënohet 20-vjetori i masakrës në Burgun e Dubravës

Kryekuvendari Kadri Veseli deklaroi sot në seancën e Kuvendit në 20 vjetorin e masakrës së Dubravës se ka ardhur koha që përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të ndalojnë vetëm së vajtuari për qindra masakrat që kanë ndodhur në Kosovë, por të kërkojnë drejtësi dhe kriminelët serbë të mijëra vrasjeve e gjenocidit në Kosovë të dalin para drejtësisë.

“Familjet dhe familjarët, në disa raste, me të drejtë mund të jenë edhe të hidhëruar pse nuk po arrijmë të jemi në secilën ngjarje që ka ndodhur. Minimalisht mendohet se janë kryer 186 masakra, përderisa sipas një të dhëne të kryqit të kuq flitet për 400 masakra që janë bërë në Republikën e Kosovës por edhe për rëniet e komandantëve e dëshmorëve të UÇK-së. Nëse e shikojmë këtë pjesë, pastaj dy dekada mbrapa. Çfarë është mesazhi që japim për gjeneratat që vijnë e të cilat do ta trashëgojnë Republikën e Kosovës. Do të thotë rinisë që e kemi tani. A janë të mjaftueshme vetëm këto përkujtime? A është e nevojshme që shteti i Kosovës vetëm të vajtoj duke filluar nga Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Presidenti, deputetët, ministrat dhe të sjellin çdoherë vetëm faktet cilat janë të dijshme. Të gjithë i dimë. Jeni ju. Janë gjëra të cilat i kemi parë, i dimë qe dy dekada. Apo, tu japim një mesazh, që ne nuk vajtojmë, ne nuk jemi institut i statistikave me i numëru plagët tona. Por ne veprojmë institucionalisht”, tha Veseli, teksa tregoi se nëpër përkujtimet e masakrave e të viktimave, secilit zyrtar shtetërorr i ka ndodhur së paku njëherë që familjarët e viktimave të bëjnë thirrje për të kërkuar drejtësi.

Veseli tha se tani është koha të kërkohet drejtësi dhe ta drejtojnë gishtin kah Serbia.

“Deri më 2015 fotografitë e familjarëve të personave të pagjetur kanë qëndruar vetëm jashtë oborrit të Kuvendit të Kosovës në grila. As nuk ka mundur të diskutohej në Kuvendin e Kosovës. Sot ne po mund të flasim, po mund t’i dokumentojmë. Është në nderin e institucioneve të Kosovës, që ta drejtojnë gishtin andej nga duhet e ajo është Serbia, tek kriminelët të cilët i kanë kryer këto veprime dhe të marrim masa e veprime institucionale të cilat nuk na bëjnë ne një shoqëri vajtuese, një shoqëri përkujtuese. Por na bëjnë ne një shtet i cili është veprues, i cili kërkon drejtësi dhe e vendosë drejtësinë në vend deri në fund”, tha Veseli./21Media​


Hasani: Asnjë Qeveri nuk ka ndërmarrë diçka për ndriçimin e masakrës së Dubravës

Seanca e veçantë e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë në përkujtim të 20 vjetorit të masakrës së kryer nga shteti serb në Burgun e Dubravës. Kjo seancë e Kuvendit nisi me një minutë heshtje në nderim të të rënëve në masakrën e Dubravës.

I mbijetuari i kësaj masakre, deputeti i PDK-së, Nait Hasani ka deklaruar se kjo masakër ka qenë e planifikuar nga shteti serb.

“Aty ishim mbi 960 të burgosur. Pikërisht në këtë ditë nga bombardimet e NATO-s u vranë mbi 20 të burgosur. Pastaj, serbët masakruan mbi 120 shqiptarë. Një masakër që as në skenarët më të tmerrshëm nuk do të mund ta gjeni. Ajo nuk mund të ketë krahasim as me Srebrenicën. Ishte një gjenocid”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, asnjë qeveri e Kosovës nuk ka kërkuar të ndriçohet kjo masakër.

“Asnjë Qeveri e jona nuk ka qarë kokën për këtë masakër. Kanë heshtur tek ndërkombëtarët për këtë masakër. Po ashtu askush nuk ka pyetur për kallëzimin që e kemi bërë në prokurori. Kërkoj nga Ministri i Drejtësisë të jap shpejgime përse është heshtu kallëzimi penal i bërë në Prokurorinë e Pejës. Cili ka qenë qëllimi që për këtë kallëzim penal nuk është ngritur aktakuzë. Edhe Prokurorisë së Kosovës, UNMIKU-ut, edhe EULEX-it, iu është dashur që të heshtet ky krim sepse këto tri institucione janë të lidhura direkt apo indirekt me Serbinë. Në fund kam një rekomandim nga Kuvendi që pas këtij debati Kuvendi të ndërmarr veprime të ngritet aktakuzë për kriminelët që bënë këtë masakër”, ka thënë ai.

Deputeti i Nismës, Bilall Sherifi ka kërkuar nga institucionet që së paku në këtë çështje të mos bëjnë kalkulime partiake.

“Nuk ka vend as për heshtje, e tërheqje, për shkak se deri tash nuk kemi vepruar. Unë jam i gatshëm në çdo kohë që në emër të NISMËS, krimet e kryera nga shteti i Serbisë të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar Sherifi.

Deputetja e LDK-së, Mirjeta Kalludra ka deklaruar se drejtësia duhet të vihet në vend për këtë masakër.

Seanca e veçantë për shënimin e 20-vjetorit të masakrës së Burgut të Dubravës ka përfunduar.

20 vjet më parë në Burgun e Dubravës ishte kryer njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviq. 20 vjet më parë, brenda burgut ishin vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe ishin plagosur më shumë se 300 të tjerë./21Media