Pati kritika për qeverisjen në kryeqytet

Pati kritika për qeverisjen në kryeqytet

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kritikoi qeverisjet e deritanishme në Prishtinë se nuk kanë krijuar kushte më të mira për qytetarët, duke tradhtuar besimin e tyre të marrë. Veseli bëri të ditur se cili do të ishte kandidati më i mirë i kësaj partie për të udhëhequr me kryeqytetin në zgjedhjet e ardhshme.

Ai gjatë një takimi me strukturat e reja të Degës së PDK-së në Prishtinë, tha se qeverisjet e deritanishme nuk kanë pasur projekte në shërbimin shëndetësor publik, duke përkujtuar se vetëm pas ardhjes së Uran Ismajlit si ministër i Shëndetësisë, Prishtina është bërë me spital.

“Për shumë kohë më ka bërë përshtypje janë munduar ta mbajnë Prishtinës larg PDK-së. Janë munduar shumë, për besë, më vjen jo lehtë ta them, deri diku kanë arritur sukses. Nuk ka arritur PDK-ja të qeverisë në Prishtinë, por është edhe një fakt i vërtetë, por as Prishtina, qytetarët e Prishtinës i kanë besuar shumë herë shumëkujt, por nuk ua kanë parë shumë hairin, nuk e kanë ndërruar Prishtinën, nuk ua kthyer besimin…Më vjen keq, por Prishtina sot nuk ofron mundësi as për fëmijë, as për të rinjtë, as për nënë, as për baballarët, por as për ndërmarrësit. Sot pas 20 vjetëve, as spital Prishtina nuk ka pasur dhe vetëm kur ka ardhur Ismajl Ismajli është ndërtuar spitali i Prishtinës”, tha Veseli.

Ndonëse zgjedhjet lokale pritet të mbahen pas dy vjetësh, kryetari Veseli qysh tash e bëri të ditur kandidaturën e Uran Ismajlit për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, pasi sipas tij, vetëm me qeverisjen e tij kryeqyteti do të zhvillohet.

“Unë jam shumë i bindur se Urani është zgjidhja e duhur për Prishtinën, nuk kemi kandidatura për zgjedhje elektorale tani. As nacionale, as lokale, por ky do të jetë kandidati jonë për kryetar të Komunës së Prishtinës kurdo që mbahen”, tha ndër tjerash Veseli.

Ai ironizoi me udhëheqjen e tanishme të komunës së Prizrenit, duke thënë se nuk është duke vepruar asgjë në krahasim me kohën kur në pushtet ishte PDK-ja.

“Ta shikojmë tani Prizrenin kur e kemi qeverisur ne. Fjalë të bukura. Kanë ditur ta kritikojnë Ramadan Mujën, por asgjë nuk janë duke bërë.”, deklaroi Veseli.

Ai u zotua se nuk do të shajnë askënd, por do të punojnë për të mirën e vendit, duke thënë se të gjitha partitë, ato nuk kanë bërë bashkë më shumë se PDK-ja.

“Njerëzit që mendojnë vetëm për familjet e tyre, mendojnë gjithçka me i marrë, duhet t’i largojmë nga ne. Po flas për njerëzit e korruptuar. S’na duhet as vota e tyre”, porositi i pari i PDK-së.

Veseli nuk la pa përmendur edhe një herë nismën për krijimin e  Tribunalit për krimet e Serbisë në Kosovë.

“Disa mendojnë se Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë e kemi bërë vetëm nga dimensioni i të kaluarës. Serbia duhet të përgjigjet një për një për krimet që ka kryer në Kosovë pasi ka kryer gjenocid, sepse kriminelët e qyte kanë qenë qyqar, dhe kanë dëmtuar gra e fëmijë, por ne duhet të jemi përgjegjës edhe për të ardhmen, duke krijuar paqen dhe fqinjësi të mirë”, tha ai.

Ai tha se Kosova duhet të marrë përgjegjësi për paqen dhe të jetë krenare me të kaluarën, pasi vetëm me vizion të qartë arrihet një e ardhme e ndritshme për vendin, pavarësisht sfidave me të cilat përballen.

Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismajli, përmendi problemet me të cilat përballet Prishtina si kryeqytet, përshirë atë të çerdheve, mungesën e hapësirave të gjelbëruara, duke thënë se me PDK-në qyteti do të pësojë ndryshime pozitive për qytetarët.

“Po e fillojmë një rrugëtim të ri deri në krijimin e ëndrrës së Prishtinës, kryeqytetit modern të Republikës së Kosovës, se Prishtina ka nevojë për ndryshim, nuk besoj se na nevojitet ekspertizë. Krejt çfarë na duhet është të dilet pak nëpër Prishtinë dhe të vizitohen fshatrat për t’i njerëzit se po migrojnë nga fshatrat në mënyrë të dhunshme në Prishtinë. Pse po e them të dhunshme? Sepse kur iu vjen koha t’i dërgojnë fëmijët në shkolla dhe nuk kanë infrastrukturë të mjaftueshme dhe iu duhet të lëvizin nga pronat e veta dhe me ardhur me qira diku. Se Prishtina nuk është mirë tregojnë prindërit e brengosur që nuk dinë se ku t’i lënë fëmijët në çerdhe. Tregojnë prindërit se kur kthehen se në çfarë gjendje i kanë klasat në shkollat e tyre”, tha ai.

Më 11 maj, Ismajli ka zyrtarizuar kandidaturën për kryetar të komunës së Prishtinës.