Veseli mirëpret thirrjen e vendeve të QUINT-it

Veseli mirëpret thirrjen e vendeve të QUINT-it

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka mirëpritur përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Por ka kërkuar nga BE-ja që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë.

Ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, shkroi Veseli në Facebook.

Sipas tij, një nga temat mbi të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në këto zgjedhje është nëse Kosova dëshiron t’i vazhdojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët ndërkombëtarë, apo siç shkroi ai, t’i trajtojë ata si armiq dhe të përpiqet që të mbijetojë e vetme. Por sipas Veselit, duhet të mbrohen interesat e Kosovës, dhe nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët strategjikë.

Kosova arriti pavarësinë e saj duke pasur në krah një aleancë të fortë me Perëndimin”, shkroi Veseli.

Vendet e QUINT-it i kanë bërë thirrje sot Kosovës dhe Serbisë të rinisin bisedimet dhe kanë kërkuar që të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare./21Media