Veseli kërkon pezullimin e taksës

Kryeparlamentari Kadri Veseli takoi ambasadorin amerikan Philip Kosnet

Më herët, gjatë ditës së sotme kryeministri, Ramush Haradinaj publikoi një dokument ku ceken 5 kushte për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian që të arrihet deri te heqja e taksës ndaj produkteve serbe. Ndërsa, tani Kryeparlamentari, Kadri Veseli, pas takimin me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnet përmes një shkrimi në “Facebook deklaroi se kushtëzimet drejt SHBA-së e BE-së nuk i shërbejnë Kosovës.

“Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.”, shkroi Veseli.

Edhe pse taksën e ka quajtur si vendim legjitim, i drejtë, i duhur dhe i imponuar ndaj institucioneve tona, Veseli bëri të ditur se në takimin e javës së kaluar me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ambasadorin Philip Kosnet, ka kërkuar pezullimin e taksës për 120 ditë dhe sipas tij,  nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon.

Veseli theksoi se ky pezullim duhet të ndodhë si masë mirëbesimi ndaj SHBA-ve dhe BE-së, si dhe ceku edhe disa arsye tjera pse kjo duhet të ndodhë.

Shkrimin e plotë të kryeparlamentarit mund ta lexoni në vazhdim.

Më 22 janar është zhvilluar takimi mes Ambasadorit të Amerikës, Philip Kossnet, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë pas takimit me Ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnett dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj se vendimet e institucioneve të Kosovës për procese të rëndësishme do të jenë në interes të qytetarëve dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.  

Ndërsa, Haradinaj pas takimit ka thënë se me Kossnet kanë biseduar rreth dialogut me Serbinë. “Biseda ka qenë dialogu, zhvillimt rreth dialogut të ndërlidhura edhe me taksën e vendosur nga institucionet e Kosovës edhe t’i quaj ashtu mundësitë për të ardhmen që me mbërri deri të një avancim në dialog, kjo ka qenë biseda nuk ka ndonjë ndryshim të madh, ka qenë një bisedë e mire”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media.

Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018 taksa ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete.

Serbia kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave. /21Media

Back to top button