Veseli është shprehur se në asnjë rrethanë ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e Dialogut

Veseli është shprehur se në asnjë rrethanë ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e Dialogut

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është deklaruar rreth dialogut të Kosovës me Serbinë. Kryetari i PDK-së është shprehur se debati publik i ditëve të fundit për dialogun e Kosovës me Serbinë ka dalë jashtë kornizave të një debati që i ndihmon publikut, institucioneve dhe avancimit të proceseve të shtetit.

“Me temat e ngritura prej këtij debati dhe me mënyrën se si ato po trajtohen, është krijuar një klimë e panevojshme tensioni, frike e pasigurie te qytetarët tanë. Në të njëjtën kohë, Serbia, e interesuar në vazhdimësi për jostabilitet në Kosovë, me propagandën e saj politiko-mediale, duke përdorur teknikat e reja të “fake news”, vazhdon t’i kontribuojë kësaj klime dhe tendencave për të prodhuar tensione”, ka bërë të ditur Veseli në një shkrim autorial.

Veseli ka theksuar se partitë politike opozitare në Kuvend nuk pranuan të jenë pjesë e përgjegjësisë shtetërore, pjesë e dialogut, i cili adreson interesat e shtetit, e jo të partive politike.

Sipas Veselit, fatkeqësisht, sindromi i vjetër i bajraktarizmit primitiv po shfaq shenjat e tij në krejt këtë situatë. E për këtë kreu i PDK-së i ka hedhur fajin LDK-së.

“Sigurisht që përgjegjësinë kryesore për këtë e bartë LDK-ja, e cila, në njërën anë, poshtë e lartë, vetëpromovohet si parti institucionaliste, derisa, në anën tjetër, praktikisht vepron kundër frymës institucionale. Respektimi i kësaj fryme sot, më shumë se kurrë në këto dhjetë vite, është domosdoshmëri dhe obligim i të gjithë përfaqësuesve politikë në vend”, ka shtuar më tutje Veseli.

Sipas Veselit, në mungesë të veprimit institucional, që prodhon konsensus e vendimmarrje shtetërore, debati është zhvendosur në virtualitetin e mediave sociale, ku siç shprehet ai si rezultat, ky debat e ka humbur krejtësisht seriozitetin, për të përfunduar në një qarkullim të lirë pa doganë të teorive të konspiracionit dhe tërheqje vijash të reja në hartën politike të Kosovës e rajonit, sipas preferencave subjektive.

Më tutje Veseli përmes shkrimit është shprehur se vendimet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës janë të qarta. Sipas tij, në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e Dialogut.

“Kosova do të shkojë në Dialog, në mënyrë që finalja e tij ta prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obligative – e cila sjell njohjen e Kosovës, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euro-atlantike. Kjo është agjendë e jona e përbashkët, me SHBA-në dhe BE-në. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. As nuk do të diskutohet kjo çështje”, ka shkruar kryeparlamentari.

Sipas tij, ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund një herë e përgjithmonë në vitin 1999 dhe se Kosova nuk ka asgjë për të dhënë.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe integriteti territorial i saj është i pacenueshëm. Kosova do të hyjë në OKB, NATO dhe BE me kufijtë e saj të pavarësisë”, ka përfunduar kryeparlamentari Veseli.

Ky deklarim i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit vjen në kohën kur Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po deklarohet për korigjim të kufinjve./21Media