Lidhja e Kosovës me SHBA-të s dhe Perëndimin është lidhje shpirtërore

Lidhja e Kosovës me SHBA-të s dhe Perëndimin është lidhje shpirtërore

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në tubimin qendror për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, tha se krahas gëzimit për 20-vjetorin e çlirimit, kujtojmë edhe sakrificën kombëtare për liri.

Sot të gjithë qytetarët e vendit tonë, kudo që jetojnë me sy, mendje dhe zemër janë me ne. Në këtë shesh të kryeqytetit tonë, festojmë 20-vjetorin e çlirimit, 20-vjet liri. Sot krahas gëzimit të madh kujtojmë edhe sakrificën tonë kombëtare, mijëra jetë të burrave dhe grave të Kosovës, që në shekuj u flijuan për lirinë tonë. Përulemi para tyre dhe jemi falënderues përjetë sakrificës së tyre sublime, lavdi e përjetshme të rënëve tanë për liri.”, tha ai.

Veseli më tutje tha se Kosova feston 20-vjetorin e çlirimit të saj, duke pasur të pranishëm miqtë më të mëdhenj të lirisë tonë.

Respekt për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për NATO-në e udhëhequr nga SHBA-të , për të gjitha vendet demokratike, për njerëzit e mirë kudo në botë. Sot është një ditë e veçantë, një ditë e mrekullueshme, një ditë që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e kombit tonë. Sot ne festojmë 20 vjetorin e lirisë e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë tonë, të kombit tonë, të atdheut tonë.”, tha Veseli.

I pari i Kuvendit, gjithashtu tha se Kosova do të jetë gjithmonë, kudo dhe kurdo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

20 vjet më parë ju bëtë atë që në pak raste e ka parë historia e mbarë njerëzimit. U ngritët në këmbë për të shpëtuar një popull që po përballej me shfarosjen, vetëm e vetëm pse donte të jetonte i lirë si të gjithë popujt e tjerë. Ju ishit me popullin tonë në natën më të errët dhe në orën më të ligë të historisë sonë, ne jemi këtu sot falë vendosmërisë suaj si liderë i botës së lirë, falë vlerave mbi të cilat qëndrojnë SHBA-të, falë ëndrrës së madhe të kombit amerikan, për një botë të lirë e në paqe, dhe ne qytetarët e Kosovës, do të ju kujtojmë përherë. Kosova do të jetë gjithmonë, kudo dhe kurdo me SHBA-të.”, tha ai.

Më tutje Veseli theksoi se në cdo hap që Kosova ka hedhur ka qenë në partneritet të vazhdueshëm në mes të SHBA-ve dhe vendeve mike perëndimore.

Sot, Kosova është vend i lirë, demokratik, faktor stabiliteti e paqeje. Në këto 20 vjet liri, Kosova ka ecur shumë përpara. Jemi bërë shtet i pavarur dhe sovran që beson dhe punon në një vizion të vetëm, në vizionin euroatlantik. Në çdo hap që kemi hedhur, qëndron partneriteti i vazhdueshëm i SHBA-ve dhe vendeve mike perëndimore, në veçanti të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe vendeve të Botës Perëndimore. Në këtë ditë të madhe, ne u shprehim atyre mirënjohjen e thellë dhe vendosmërinë tonë për të qenë pjesë e vlerave euro-atlantike.”, theksoi kryeparlamentari.

Veseli lidhjen e Kosovës mes SHBA-ve dhe Perëndimit e ka quajtur lidhje shpirtërore.

Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Botën Perëndimore është më e madhe se partneritetet e zakonshme strategjike që lindin në marrëdhëniet mes kombeve. Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin është lidhje shpirtërore. Është besim i popullit tonë. Është bekim nga Zoti. Është vetë identiteti ynë shtetëror e kombëtar. Është ëndrra jonë e madhe që të jemi aty ku na takon, pjesë e Botës Perëndimore.”, tha Veseli.

Si dhe në fund, kryetari Veseli tha se Kosova e para 20 vjetëve, Kosova e nesërme, ka qenë dhe do të mbetet trashëgimi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës./21Media