Veseli kritikon BE-në: Indiferente ndaj përpjekjeve për të rishkruar historinë

Kërkohet themelimi i Tribunalit Ndërkombëtar për ndëshkimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve

Sot bëhen 21 vjet nga masakra e Reçakut ku u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe, e përderisa Kosova me dhimbje kujton çdo përvjetor të çdo masakre në Kosovë kriminelet e luftës ende nuk janë ndëshkuar madje Begoradi zyrtar po bënë përpjekje t’i mohojë ato!

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kritikuar Bashkimin Evropian se po qëndron indiferent ndaj përpjekjeve serbe për ta rishkruar historinë.

“Sot përjetojmë edhe një lëndim që vjen si pasojë e tolerancës së Bashkimit Evropian ndaj Serbisë për përgjegjësinë historike që ka për krimet makabre. BE, jo vetëm që ka qëndruar duarkryq ndaj refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të ndëshkuar kriminelët e luftës, por sot po tregohet indiferente edhe ndaj përpjekjeve serbe për ta rishkruar historinë, për të mohuar përgjegjësinë mbi krimet e kryera ndaj qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Shtetet e Kunitit kanë përkujtuar dje masakrën e Reçakut përmes një komunikate, por sipas Veselit deklaratat politike shterpe që jepen nga zyrtarë evropianë janë të pavlera, përderisa nuk kanë ndonjë efekt presioni ndaj Serbisë dhe nuk shoqërohen me veprime konkrete për ta shtrënguar lidershipin e Serbisë që të heqë dorë nga mohimi i përgjegjësisë shtetërore për krimet e kryera dhe për ta kushtëzuar që të ndërmarrë ndëshkimin e autorëve të krimeve makabre sikurse ishte Reçaku.

Veseli konsideron se themelimi i Tribunalit Ndërkombëtar për ndëshkimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Përndryshe, siç thotë ai, çdo përpjekje për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Ballkan në kurriz të drejtësisë dhe të vërtetës mund të konsiderohet thjesht një utopi.

Ai madje thotë se ka zyrtarë evropianë që mendojnë se Kosova duhet të pranojë në heshtje pandëshkueshmërinë dhe mosvënien e drejtësisë për autorët e masakrave të kryera ndaj shqiptarëve në vitet 1998-1999, si çmim për lirinë. Por, siç potencon Veseli, janë duke gabuar rëndë, sepse krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen dhe paqja nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë.

Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot në Reçak tha se duhet të shtohet trysni mbi Serbinë nga insitucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë që të gjithë kriminelët që ekzekutuan dhe ata që urdhëruan masakrën e Reçakut të dënohen.

Për masakrën e Reçakut reagoi edhe lideri i LDK-së,  Isa Mustafa i cili e cilësoi si njërën nga krimet më të tmerrshme të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare. “Aktin makabër të regjimit të Millosheviqit e pa nga afër i tmerruar edhe ambasadori i OSBE-së, Ëilliam Ëalker. Masakra e Reçakut, zgjoi ndërgjegjen e fjetur ndërkombëtare ndaj padrejtësive dhe krimeve shekullore të Serbisë mbi popullin e Kosovës.”, tha Mustafa. /21Media

Back to top button