Veseli: Manipulimet me nënshkrime të pa autorizuara dëmtojnë demokracinë e Kosovës

“Kryesia e Kuvendit po përballet për herë të parë me një manipulim të tillë”, thotë Memli Krasniqi

Ende pa filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, e cila ishte caktuar për orën 16:00 nga Kryesia e Kuvendit,u mbajt një mbledhje e dytë e kësaj kryesie, e thirrur nga  Kadri Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se kishte kërkuar sqarim nga deputetë të opozitës, por që të njëjtit nuk kishin reaguar.

“Kam kërkuar nga kolegët e opozitës, të cilët e kishin iniciuar seancën e jashtëzakonshme të përgjigjen në shqetësimet që i patën kolegët e pozitës, nuk patë reagim, ndërkohë kur morëm vendimmarrjen në bazë të procedurave që të shkojë në seancë të jashtëzakonshme, ne kemi marrë pastaj dy shkresa. Një shkresë ka qenë tepër flagrante, sepse dy deputet kanë treguar që nuk kanë tërhequr nënshkrimin, por kanë treguar se fare nuk kanë qenë të njoftuar me temën e kësaj seance të jashtëzakonshme”, ka thënë Veseli.

Ai tha se një gjë e tillë e dëmton edhe demokracinë në Kosovë. Duke kërkuar nga opozita që të riinicojnë  një gjë të tillë prapë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së,  Memli Krasniqi ka treguar se me Ahmet Isufin kishin bërë pyetje për sqarim, por siç tha ai, Avdullah Hoti kishte heshtur.

Tutje ai ka thënë se është një rast i paprecedent, duke shtuar se Kryesia e Kuvendit të Kosovës për herë të parë po ballafaqohet me një manipulim të tillë. Ai po ashtu ka thënë se kanë kërkuar që opozita të mbledh edhe një herë të nënshkrimet.

“Nëse nuk kanë nënshkrime, sepse nuk kanë se ka prej tyre që janë jashtë vendit, atëherë ju ndihmojmë me nënshkrime, që të mbahet kjo seancë, por insistimi për ta mbajtur këtë seancë, ne nuk do të bëhemi gjykatës, a ka shkelje apo jo, por realisht do të jetë shkelje e  kushtetutës sepse kjo procedurë tash më është e kontestueshme”, tha ai.

Shefi i  Grupit Parlamentar të Nismës Social Demokrate,  Bilall Sherifi  tha se një gjë e tillë, ka vendin për Gjykatë Kushtetuese.

“Ata nuk po duan të pranojnë që kanë përdorur  dy nënshkrime në mënyrë të pa autorizuar, prandaj nuk po bëjnë një kërkesë të re, ne ju thojmë bëjeni një kërkesë të re, le të shkojmë në Gjykatë Kushtetuese për kërkesën e parë”, shtoi ai.

Ndërsa, Ahmet Isufi nga AAK, tha se dyshon që është përdorur një listë e vjetër.

“Ne kemi çështje procedurale të cilat e dëmtojnë imazhin e Kuvendin e Kosovës. Dy nga deputetët janë deklaruar me shkrim  në administratën e Kuvendin e Kosovës, e cila u soll në kryesi që nuk kanë nënshkruar për një temë të tillë, e ne po dyshojmë që pikërisht është një përdorur një listë e vjetër  me një temë të re, gjë që e konteston pastaj edhe 42 nënshkrimet e të gjithë deputetëve, sepse ka deputet që janë edhe jashtë vendit, para se të procedohet në Kuvend  kërkesa  për një temë të tillë, është një manipulim”, tha ai.

Kurse Avdullah Hoti ka justifikuar një gjë të tillë, duke thënë se gabime të tilla  mund të ndodhin, duke u shprehur i bindur se do të mbledhin edhe më shumë nënshkrime.

“Është e jona që të debatojmë në Kuvend të mbajmë përgjegjës këtë koalicion qeverisës për dështimet e njëpasnjëshme që kanë ndodhë. Gabime teknike gjithmonë mundë të ndodhin, këto gjëra janë sqaruar me deputetët e Alternativës, mendoj që nuk ka pas fare nevojë që të komplikohet  kështu çështja nga ana e kryetarit të Kuvendit. Nënshkrime autentike të gjithë deputetëve që janë dorëzuar, po ju them nënshkrime autentike të deputetëve nënshkrues të kësaj kërkese. Tash do t’i kenë prapë  nënshkrimet edhe një herë, do t’i kenë më shume se 40 nënshkrime tash të reja për seancë të jashtëzakonshme. Do të ketë edhe më shumë nënshkrime, deputetët që janë në Kuvend, do ta dorëzojmë kërkesën shpejt dhe do të shkojmë ne seancë”, ka shtuar Hoti.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, u shpreh se nuk pse të diskutojnë për çështjet që janë të garantuara me Kushtetutë.

“Nuk mund të manipuloni dhe të hidhni në votim vendime se a ka të drejtë të ndodhë kjo apo jo, është sikur t’i hedhesh në votim të drejtat e njeriut. Dmth. a ka të drejtë me pas njeriu të drejta apo jo. Janë disa çështje të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, për të cilat s’kemi nevojë të bisedojmë. Nuk kam kurrfarë informacioni shtesë përveç asaj që ka dalë  sot në portale”, tha ai.

Sot me fillim nga ora 17:00 Kuvendi i Kosovës pritej të vazhdonte pikat e papërfunduara nga seancat plenare, mbajtur më 13 shtator, 18, 31 tetor, 2, 7 dhe 23 nëntor 2018, mirëpo kjo seancë nuk u mbajt.

Back to top button