Veseli me disa fjalë edhe për taksën…

“Me SHBA-të dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt”

Kryeparlamentari, Kadri Veseli sot në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 11 vjetorit të pavarësisë foli edhe për taksën. Ai tha se Serbia e ka merituar dhe e meriton taksën, për shkak të sjelljeve të saj karshi Kosovës.

Veseli tutje tha se largimi i saj është i panegociueshëm, për shumë arsye.

“Por, përmbi emocionet e taksës ndaj Serbisë, dua të flas për urgjencën e racionalitetit shtetëror. Vendimmarrja shtetërore nuk duhet të jetë as përgjegjësi dhe as kritikë individuale. Në vendimmarrje shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra, edhe ky vendim, si çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror, institucional”, u shpreh Veseli.

I pari i legjislativit tha se duhet t’i vëmë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon; Rusisë me aleatë në njërën anë, dhe SHBA-së e BE-së në anën tjetër.

“Me SHBA-të dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt. Interesat strategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë. Andaj, Kuvendi dhe Qeveria duhet t’u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë – SHBA dhe BE”, u shpreh Veseli.

Ai theksoi se në të kundërtën, Kosova nuk fiton. Ndërsa, siç thotë ai Serbia rehabilitohet.

“Sa i përket kësaj situate të ndjeshme dhe ndërlidhjes së saj me mandatin e Qeverisë, dua t’i siguroj qytetarët se, si lider i koalicionit qeverisës, nuk do të lejoj për asnjë moment që relacioni ynë me Serbinë ta përcaktojë stabilitetin dhe fatin e institucioneve tona, pra as të Qeverisë së Kosovës”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit tha se Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës.
“Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Europian”, tha tutje ai./21Media

Back to top button