Veseli: Ne nuk hyjmë në dialog për të gabuar, as për të humbur

Veseli zotohet: Ne do të kalojmë shumë shpejt në Kuvend ligjin për referendumin

Në Bruksel është duke u mbajtur takimi i parë në mes të delegacionit shtetëror të Kosovës dhe përfaqësueses së BE’së, Federica Mogherinit.

Delegacioni përbërët nga 11 përfaqësues, e drejtohet nga zëvendës kryeministri, Fatmir Limaj dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Me rastin e  këtij takimi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli përmes një postimi në profilin e tij zyrtar ka thënë se ky delegacion ka mandat të plotë legal dhe legjitim nga Kuvendi i Kosovës. Ai ka shtuar se Kosova është  e gatshme dhe e vendosur për dialogun me Serbinë.

“Vendimet që do të merren do të jenë në respekt të plotë të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe në koordinim më partnerët tanë perëndimorë, si dhe të gjithë mbështetësit e shtetit tonë.”, u shpreh ai.

Sipas Veselit, refuzimi i dialogut nuk është alternativë, as zgjidhje. “Për më tepër do të ishte një favorizim i Serbisë në arenën ndërkombëtare. E dimë nga e kaluara se sa herë që Serbia ka refuzuar dialogun, po aq herë ka dalë e humbur nga proceset. Ne nuk guxojmë ta përsërisim këtë leksion të gabuar të Serbisë. Kosova hyn në dialog me qëllime të qarta: njohje e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe anëtarësimi ynë në OKB.”, tha ai.

Veseli tha se po hyjmë në dialog  për të fituar dhe u shpreh i bindur se do të fitojmë.  “Ne nuk hyjmë në dialog për të gabuar. As për të humbur. Hyjmë vetëm për të fituar dhe do të fitojmë. Kush mendon ndryshe është duke gabuar shumë.”, ka shkruar ai.

Puna të cilën e ka nisur sot Delegaconi shtetëror i Kosovës do të jetë transparente në të gjitha fazat e saj., premtoi Veseli. Ndërkaq vendimi final, siç tha ai do të legjitimohet me vullnetin e lirë të sovranit. “Për këtë ne do të kalojmë shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës ligjin për referendumin. Do të jenë vetë qytetarët e Kosovës që do ta thonë fjalën e fundit për rezultatet e procesit.”.

Ekipi negociator është formuar më 15 dhjetor dhe udhëton në Bruksel për herë të parë që nga mandatimi në Kuvendin e Kosovës, me gjithë kundërshtimin e marrë nga LDK dhe Vetëvendosja.

Pjesë e këtij delegacioni përveç  jenë : Fatmir Limaj (NISMA), Shpend Ahmeti (PSD) bashkë-drejtues, Enver Hoxhaj (PDK) anëtar, Avni Arifi (AAK) anëtar, Behgjet Pacolli (AKR) anëtar ,Visar Ymeri(PSD/ vend i rezervuar për opozitën) anëtar, Dugagjin Gorani (AAK/ vend i rezervuar për opozitën) anëtar, Mahir Jagcilar (6 +) anëtar ,Dardan Gashi (zv/ KM) anëtar ,një anëtar nga shoqëria civile. /21Media 

Back to top button