Afër një mijë rroba dhe artefakte të të zhdukurve ruhen në vend jo adekuat

Afër një mijë rroba dhe artefakte të të zhdukurve ruhen në vend jo adekuat

Kryeparlamentari Kadri Veseli, i shoqëruar nga drejtori i Institutit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu ka vizituar vendin ku po ruhen eksponatet e rrobave të të vrarëve dhe artefaktet e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Veseli në një prononcim për media tha se nuk duam konflikt, por një të ardhme.

“Më askush nuk guxon të na e bëjë atë që na e ka bërë. Dhe drejtësia do të ndodhë. Në Jerusalem, në Muzeun e Yad Vashemit, është një pirg i madh me flokë të viktimave. Nëse shkoni në Poklek, aty do t’i gjeni 56 persona në një varr. Ky është Holokausti. Do të jetë e pafalshme nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrah iniciativën për tribunal ndërkombëtar për Serbinë. Për aq sa ka njerëz mbi këtë tokë, dritë dhe diell, do të ketë edhe drejtësi dhe tribunal për gjenocidin serb”, u shpreh Veseli gjersa në duar mbante disa artefakte të viktimave të luftës.

I pari i Kuvendit shtoi se është papërgjegjesi dhe do të jetë e pafalshme nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrah iniciativën për Tribunal Ndërkombetar.

Tutje Veseli shtoi se kriminelët do të përgjigjën para Kosovës, por edhe para Tribunalit Ndërkombëtar.

Kushtrim Gara nga komisioni qeveritar për të zhdukurit e njoftoi Veselin se rreth 948 rroba dhe artefakte ruhen ne këtë vend.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare ku do të votohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë./21Media