Veseli vizitoi lokacionin ku do të ndërtohet Memoriali i Dëbimit

Veseli vizitoi lokacionin ku do të ndërtohet Memoriali i Dëbimit

Shteti i Kosovës ka kapacitete dhe do t’i arrestojë kriminelët e luftës kudo që janë, nuk do të ketë tolerim ndaj tyre. Kështu ka deklaruar sot kryeparlamentari Kadri Veseli, gjatë vizitës qe i ka bërë lokacionit ku do të ndërtohet Memoriali i Dëbimit te Stacioni i trenit në Prishtinë.

Aty, Veseli ka ftuar qytetarët që të besojnë në kapacitetet e institucioneve të vendit, se nuk do të mbetet asnjë kriminel i luftës i lirë.

“Do të ndërtohet Tribunali Ndërkombëtar dhe do të ndodh memorizimi i këtyre krimeve që Serbia ka bërë ndaj qytetarëve tanë. Nëse flasim për kriminelët që kanë dhunuar e kanë vrarë, domosdoshmërisht se do të përkrahet nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk ka mundësi që të heshtet një krim që ka ndodhur ndaj qytetarëve tanë. Sa i përket një dileme, nuk është vonë. Prej dhjetorit 2018, janë dërguar të gjitha dosjet nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe do të procedohen tutje. Kriminelët s’kemi me i lënë me flejt shlirë. Në gjumë kena me i marrë, po ua jap fjalën”, ka përsëritur Veseli.

Ndërsa, qytetari Ali Kadrolli, ka kujtuar ditën kur ai ishte dëbuar nga Kosova në mars të vitit 1999.

“Këtu ka qenë tmerr. Kanë qenë paramilitarë me automatë e të gjitha. Unë babën edhe nanën i kam fut në tren prej dritares. Kanë qenë nga 25-30 veta. Në Han të Elezit, ushtria na ka pritur atje dhe na kanë thënë me ecë vetëm në binarë sepse në të dy anët ka qenë e minuar ajo pjesë atje”, ka kujtuar ai.

Veseli u shpreh i kënaqur që do të memorizohet ky lokacion në muze, në mënyrë që të mos harrohet asnjëherë historia nëpër të cilën kaluan shqiptarët.

Kryeparlamentari Veseli dje ka vizituar lokacionin në të cilin është paraparë të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit në Kosovë. Sipas tij, ky Muze i Gjenocidit do të ketë rol përkujtimor dhe edukativ për brezat e ardhshëm dhe ka theksuar që gurthemeli të vendoset në vitin 2020.

Ditë më parë, Veseli ka paralajmëruar inicimin e formimit të një komisioni shtetëror i cili tashmë pritet të formalizohet të enjten (nesër) në seancë parlamentare dhe pas punës së tij do të rezultojë edhe inicimi i hapave tjerë drejt formimit të Tribunalit Ndërkombëtar.