Sipas Veselit Prishtina duhet të merret shembull

Sipas Veselit Prishtina duhet të merret shembull

86 vjet më parë u vra Hasan Prishtina, njëri ndër ideologët kryesorë të pavarësimit dhe bashkimit kombëtar si dhe të çlirimit të Kosovës. Në përvjetorin e vrasjes e ka kujtuar edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli.

Veseli ka thënë se Hasan Prishtina është model për t’u  marrë shembull.

“Ai është një model për t’u marrë shembull në kohët e sotshme si politikan idealist dhe i pakorruptuar”, ka shkruar ai në llogarinë e tij “Facebook”.

Sipas kreut të Kuvendit, nuk ka etapë të ndritur të Rilindjes sonë Kombëtare ku ai nuk ka qenë protagonist.

“E nis karrierën politike si i pasur dhe e ngrysi jetën në kushte modeste, sepse nuk kurseu asgjë për kauzën kombëtare. Me fonde të tij personale bleu armë për kryengritjen e vitit 1912, për të çuar të rinjtë kosovarë në shkollën Normale të Elbasanit e për të financuar shumë veprimtari të tjera patriotike”, ka shkruar Veseli.

Sot edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar Hasan Prishtinën në 86 vjetorin e vrasjes.

Hasan Prishtina ka qenë politikan shqiptar në Perandorinë Osmane, ndër krerët e disa kryengritjeve gjatë periudhës parlamentare osmane duke bërë që me Kryengritjen e vitit 1912 të fitonte autonominë e Vilajetit Shqiptar. Pas pavarësisë së Shqipërisë u emërua ministër në qeverinë e parë dhe më pas kryeministër./21Media