"Ky Tribunal është i domosdoshëm, i pashmangshëm dhe ai do të ndodhë"

“Ky Tribunal është i domosdoshëm, i pashmangshëm dhe ai do të ndodhë”

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka arritur të gjejë konsensus rreth nismës së kryetarit, Kadri Veseli për themelimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

Pas ktij konsensusi të arritur, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli përmes një postimi në Facebook ka falenderuar të gjithë deputetët, duke e theksuar se ky Tribunal është i domosdoshëm, i pashmangshëm dhe ai do të ndodhë.

“Jam shumë i lumtur që Kuvendi i Republikës së Kosovës sot i dha drejtimin e duhur iniciativës për ngritjen e Tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, duke votuar një komision konsensual që do të merret me këtë nismë dhe me rekomandimet tjera për Muzeun e Gjenocidit, Muzeun e Dëbimit dhe shpalljen e Ditës së Gjenocidit. Falënderoj të gjithë deputetët. Ky Tribunal është i domosdoshëm, i pashmangshëm dhe ai do të ndodhë”, ka shkruar Veseli në Facebook. 

Të gjitha grupet parlamentare janë pajtuar që të mblidhen së bashku, në një komision ad hoc, për të harmonizuar qëndrimet që më pas të votohet bashkërisht nisma për themelimin e tribunalit.

PSD-ja ka propozuar Dardan Molliqaj për anëtar të Komisionit, Enver Hoti nga Nisma, nga 6+ Duda Balje, PDK-ja ka propozuar Memli Krasniqi, LDK-ja Vjosa Osmani, VV-ja propozoi deputetin Sami Kurteshi, ndërsa AAK-ja ka propozuar deputetin Muharrem Nitaj. /21Media