Veseli: Politika është kthyer në barrë të rëndë për qytetarët

Veseli kërkon epokë të re suksesi 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se në kushtet e paqes e të lirisë, puna më e dobishme që mund të bëjnë politikanët e një vendi është të merren me ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të vet, nëpërmjet forcimit ekonomik, kështu tha gjatë konferencës së donatorëve ndërkombëtarë për bujqësi, e cila po mbahet sot në Prishtinë.

“Politikanët dhe politika në Kosovë po vazhdojnë fokusin më tepër në çështje të interesit te tyre luftës për pushtet, sesa interesin e qytetarëve për jetë më të mirë”, tha kryekuvendari.

Sipas tij, kjo ka pasur pasoja të dëmshme për vendin sepse politika dhe politikanet në vend se të merren me problemet reale të qytetarëve, politika është kthyer në një barrë të rëndë për qytetarët me problemet e shkaktuara prej vet asaj dhe atyre.

Veseli shtoi se njerëzit që jetojnë nga djersa e tyre, që sot prodhojnë të mira materiale dhe punësojnë njerëz, janë heronjtë e vërtetë të lirisë.

“Kjo dhe këta njerëz do të jenë politika ime. Kjo është arsyeja pse insistoj në një politikë që ka në epiqendër të saj zhvillimin ekonomik, 24 orë në ditë, 365 ditë të vitit”, tha Veseli.

Ai tha se Kosova duhet të orientohet në politika stimuluese vendore për prodhim dhe eksport, dhe dekurajuese për import, duke zbatuar tërë rregullat e ekonomisë së lirë të tregut.

Veseli pohoi se do të përkrahen ata që hapin vende të reja të punës, duke i stimuluar dhe suportuar financiarisht.

“Ne kemi gjithë potencialin e nevojshëm për të nisur një epokë të re suksesi në Kosovë. Një fillim të ri,me të cilin do të ndihen krenare gjeneratat e ardhshme që do ta trashëgojnë këtë tokë të bekuar dhe veprën më madhështore të popullit të saj- Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës”, theksoi kryetari Veseli./21Media

Back to top button