Veseli: BE me standarde të dyfishta, tregon indiferencë për lirimin e kriminelëve serbë të luftës

Veseli: BE me standarde të dyfishta, tregon indiferencë për lirimin e kriminelëve serbë të luftës

Miodrag Sholaja, i dënuari për ekzekutimin e shtatë fëmijëve në oborrin e një shtëpie në vitet 1998-99 në Kosovë, u lirua nga burgu në Serbi tre vjet para se të përfundonte dënimin e tij. Lidhur me lirimin e tij ka reaguar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke e quajtur akt të turpshëm që demaskon mungesën e vullnetit të Beogradit për të vënë drejtësi.

Në një postim në Facebook, Veseli ka shkruar se BE-ja po funksionon me standarde të dyfishta.

“Lirimi i parakohshëm i kriminelit të luftës Miodrag Sholaja, ish pjesëtar i njësisë “Akrepat”, është një akt i turpshëm që demaskon mungesën e vullnetit të Beogradit për të vënë drejtësi. Një vit më parë u lirua pa kryer dënimin e plotë, Sasha Cvjetani. Edhe ai nga e njëjta njësi famëkeqe që kreu masakrën e Podujevës, ku u masakruan 14 civilë, gjysma e të cilëve ishin të mitur. Është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes, dënimeve qesharake sa për sy e faqe e tanimë edhe për lirimin e parakohshëm të kriminelëve të luftës. Këtu duket qartazi se Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta. Nga njëra anë po i toleron këto veprime, e në këtë mënyrë po i jep dritën e gjelbërt Serbisë që të nëpërkëmbë drejtësinë, duke lënduar për herë të dytë familjarët e viktimave të masakrave. Nga ana tjetër misioni juridik i BE-së në Kosove ka dënuar pa prova e fakte dhe po mban padrejtësisht në burg luftëtarë të lirisë siç janë ata të “Grupit Drenica”.“, ka shkruar kryekuvendari Veseli.

Veseli u zotua se do t’i shkojë deri në fund iniciativës së tij për një tribunal.

“Kosova nuk duhet të lejojë qē historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin. Prandaj si kryeministër do i shkoj deri në fund iniciativës sime për një tribunal qē në kuadër të drejtësisë tranzicionale do i vendosë këta kriminelë para drejtësisë.”, ka shkruar më tej ai.

Në Qeverinë e Kosovës janë shprehur të indinjuar me këtë lirim, ndërkohë kanë deklaruar se nuk ka pajtim me Serbinë derisa kriminelët lihen të lirë./21Media