Veseli dhe Haradinaj takuan ministrin slloven

Veseli dhe Haradinaj takuan ministrin slloven

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Karl Erjavec, i cili po qëndron për vizitë në vendin tonë.

Në takim u diskutua për raportet e shkëlqyera në mes të të dyja vendeve dhe mundësitë e avancimit të tyre në shumë fusha, veçanërisht në sferën ekonomike.

Pasi e njohu kryediplomatin slloven për zhvillimet në Kosovë dhe në Kuvendi, me fokus në agjendën evropiane si prioritet nacional, Veseli e falënderoi atë për kontributin e vazhdueshëm të Sllovenisë në drejtim të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës, zhvillimit ekonomik, si dhe për përkrahjen në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Veseli shtroi nevojën e intensifikimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërparlamentare dhe vazhdimit të përkrahjes së Lubjanës zyrtare për Kosovën edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, Erjavec theksoi se mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk do të mungojë, si në sektorin ekonomik, ashtu edhe në realizimin sa më të suksesshëm të procesit të euro-integrimeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj priti në takim sot kryediplomatin slloven. Ai bëri të ditur se me Erjavec u dakorduan për intensifikim të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Sllovenia mbetet mbështetëse e madhe në të gjitha proceset e rëndësishme të shtetësisë së Kosovës. Me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Karl Erjavec, u dakorduam për intensifikim të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, veçmas në sferën ekonomike. Kosova llogaritë, që në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe të anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ta ketë në krah shtetin slloven”, ka shkruar Haradinaj./21Media