Veseli: Sonte do të miratohet Buxheti

Veseli thotë se punonjësit publik mund të krahasohen me punonjësit e vendeve evropiane

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Buxheti për vitin 2019 do të votohet.

“Sonte do të miratohet Buxheti i Republikës së Kosovës, në moralin tim politik dhe njerëzor, asnjëherë as nuk lejoj as nuk e bëjë që të shantazhoj dikë me ndonjë pozicion apo një momentum, do të thotë Buxheti i Republikës së Kosovës do të aporovhet që i jepet një mundësi kësaj qeverie dhe këtij kryeministri që bashkarisht ne si koalicion qeveritar të orientohemi nga sektori i prodhimit dhe ndërmarrësisë. “, tha Veseli.

Buxheti është pika e tetë e rendit të ditës në seancën e sotme, ndërsa momentalisht është duke u shqyrtuar pika e katërt në rend të ditës. Buxheti për vitin 2019 është paraparë të jetë 2.3 miliardë euro. Nëse sot nuk miratohet Projektligji për buxhetin e vitit 2019, atëherë Qeveria e Kosovës nuk do të mund të bëjë asnjë pagesë buxhetore. Por, ndërkohë mund të aplikohet edhe një zgjidhje kalimtare. Për të mundësuar ndarje të mjeteve nga buxheti, në bazë të procedurave ligjore që zbatohen kur buxheti nuk është miratuar, Kuvendi mundet që përmes një vendimi të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Kadri Veseli në konferencën e sotme ka ritheksuar se ai dhe kryeministri, Ramush Haradinaj kanë dallime vetëm për taksën. Siç deklaroi ai, taksa duhet të qëndrojë, mirëpo duhet të ketë një pezullim të përkohshëm me kushte të cilat kanë të bëjnë me Serbinë dhe sjelljen e saj karshi Kosovës. “Kosova me SHBA-në ruan çdo gjë, pa partnerët rrezikon çdo gjë”, shtoi Veseli.

Veseli gjatë konferencës për media foli edhe për miratimin e Ligjit për Paga, tha se punonjësit publik mund të krahasohen me punonjësit e vendeve evropiane. “Kjo rritje e pagave e cila është bukur solide nuk do ta dëmtojë stabilitetin makroekonomik dhe makrofinanciar të ekonomisë së Kosovës, as për vitin 2019 a për vitin 2020 dhe më tutje”, tha Veseli. Ai tutje shtoi se orientimi do të jetë edhe në sektorin privat në ndërmarrësi.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar Ligjin për Paga me 63 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim. /21Media

Back to top button