Veseli: Do t’i bëjmë numrat, Ramushi kryeministër

Veseli ka premtuar se Qeveria do të formohet shumë shpejt

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve koalicioni PDK-AAK-Nisma do t’i formojë institucionet e veta si dhe kryeministër i shtetit do të jetë Ramush Haradinaj.

Përkundër rezultatit të zgjedhjeve ku koalicioni që udhëheq partia që ai drejton, Veseli thotë se kjo parti dhe partnerët e saj janë fitues të këtyre zgjedhjeve. Madje ai premton se institucionet do të formohen shumë shpejt, menjëherë pas certifikimit të rezultateve. “Unë besoj se shumë shpejt pas 25 qershorit kur pritet që t’i kemi rezultatet do të kemi formimin e institucioneve tona, Qeverinë, Kuvendin në rend të parë e cila është shumë e qartë që i takon fituesit të koalicionit, por në të njëjtën kohë edhe Qeverisë . Këto kanë qenë rregullat të cilat i kemi pasur, i kemi ditur secili para 11 qershorit në bazë të cilave rregullave jemi sjellë edhe para 11 qershorit, dhe duhet të mendojmë edhe më tepër për interesat e qytetarëve të formohen institucionet , t’i jepen përparësi implementimit të programit të cilat kemi premtuar në mënyrë që mos të kemi bllokada të cilat nuk i nevojiten këtij vendi”, tha Veseli në një intervistë për Kp.

Edhe pse PAN-i nuk do t’i ketë më shumë se 39 deputetë në Kuvend, gjithnjë sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Veseli nuk tregon se ku do t’i marrin votat për ta votuar Qeverinë dhe Kuvendin. Sipas tij, për këtë do të flasin pas 25 qershorit, datë kjo për të cilën beson se edhe do të ketë certifikim nga ana e KQZ-së.

Veseli thotë se PDK për këto vite e ka mbajtur barrën e të qenurit në pushtet dhe rrjedhimisht sipas tij ka qenë edhe një adresë politike deri më 11 qershor. “Për rreth një dekadë PDK-ja e ka bartur privilegjin e të qenurit në pushtet por në të njëjtin kohë edhe barrën e të qenurit në pushtet duke qenë edhe në aspektin e asaj shpeshherë se çfarë nuk është arritur jo vetëm atë që nuk është arritur dhe atë çfarë nuk është arritur që të jetë një adresë politike në Kosovë. E ka bartur këtë barrë në pjesën deri më 11 qershor, pas 11 qershorit jemi në një situatë kur kemi një mandatar të cilin PDK i ka jep mandatin qysh para 11 qershorit ka fituar ky koncept me 11 qershor dhe tash duhet ta implementojmë këtë pjesë”, tha Veseli.

Kryetari i PDK-së komenton edhe rritjen që ka marrë Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjehdje e cila e vetme është radhitur e dyta pas koalicionit PAN. Sipas Veselit ky rezultat është i qytetarëve dhe si PDK e pranojnë atë. Ish kryekuvendari nuk tregon nëse do të jetë sërish kandidat për kryetar të Kuvendit. Sipas tij postet nuk janë me rëndësi pasi që siç tha ai PDK-ja nuk e ka prioritet vetëm të qenurit në pushtet.

Veseli pranon se ende ka papunësi të madhe në vend, ndërsa në të njëjtën kohë zhvillimi ekonomik ende nuk është në atë fazën e munguar.Veseli tha se pas formimit të institucioneve do të fillojë edhe reformat në parti por që sipas tij nuk do të ketë revolucion, por do të ketë revolucion progresiv pozitiv.

 

Back to top button