Veseli: Trepça nuk do të jetë çështje e hapur në dialogun me Serbinë

“BE është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se Trepça nuk do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë. Ai ka akuzuar Bashkimin e Evropian se rrënon prespektivën e dialogut.

“Trepça, as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë çështje e hapur në dialogun me Serbinë. Me këtë gjuhë, BE është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë. Trepça është e drejtë natyrore e shtetit të Kosovës. Sot dhe përgjithmonë.”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Në anën tjetër edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për Trepçën duke thënë se reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr.

Ndërsa edhe Kryetari  i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kërkesën e Bashkimit Evropian që Trepça të përfshihet në dialogun me Serbinë, e ka quajtur absurde dhe të papranueshme.

Kuvendi i Kosovës më 3 shkurt ka miratuar statutin e Minierës së Trepçës. Dokumenti i kaluar me 80 vota pro, parashikon regjistrimin e saj si një ndërmarrje te re në përputhje me ligjin e miratuar në vitin 2016, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës bëhet pronare me 80% të kapitalit./21Media

Back to top button